Masat e reciprocitetit, qeveria e Kosovës shtyn zbatimin e vendimit pas tensioneve në veri

Publikuar më: 1/8/2022, ora 12:07

Masat e reciprocitetit, qeveria e Kosovës shtyn zbatimin e vendimit pas tensioneve në veri

Publikuar më: 1/8/2022, ora 12:07

Pas ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara, qeveria e Kosovës vendosi të shtyjë me një muaj zbatimin e vendimit për masat e reciprocitetit, lidhur me identifikimin dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe. Vendimi u publikua pak pas mesnatës, pas takimit të udhëheqësve të Kosovës me ambasadorin amerikan Jeff Hovenier, i cili kërkoi një shtyrje 30-ditore.

“Mendoj se shtyrja e zbatimit do të ishte e nevojshme, pasi duket se ka pasur dezinformata dhe keqkuptime për vendimin. Shpresojmë të punojmë me partnerët tanë në Bashkimin Evropian që të ulen tensionet. Ne nuk po kërkojmë anulimin e vendimit të jem i qartë, por shtyrjen”.

Deklarata e ambasadorit erdhi pas shtimit të tensioneve në veriun e Kosovës, ku grupe qytetarësh serbë, bllokuan të dielën në mbrëmje rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bernjak.

Qeveria e Kosovës tha në një komunikatë pas takimit se e dënon ashpër bllokimin e rrugëve në veri dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje. Në njoftim thuhet se kryeministri Albin Kurti së bashku me presidenten Vjosa Osmani, kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë.

“Me këtë rast, Qeveria e Kosovës zotohet që të shtyjë zbatimin e dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”.

Qeveria e Kosovës i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, mirëpriti vendimin e Kosovës “për të pranuar propozimin e (shefit të politikës së Jashtme të BE-së) Josep Borrell për shtyrje për 1 muaj. Policia e Kosovës tha të dielën se mbylli dy vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, pasi grupe serbësh bllokuan rrugët dhe qëlluan ndaj policisë për të kundërshtuar masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe. Grupe protestuesish sulmuan disa qytetarë shqiptarë që po udhëtonin në kohën e vendosjes së bllokadave.

Tensionet u rritën pak orë para afatit kur duhej të hynte në fuqi vendimi që u kërkon të gjithë shtetasve të Serbisë që do të hyjnë në Kosovë, të pajisen me një dokument të përkohshëm që do të zëvendësojë kartat e identitetit.

Gjithashtu, sipas vendimit të qeverisë të datës 29 qershor, nga e hëna më 1 gusht të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, duhet t’i regjistronin ato me targat e Kosovës RKS. Beogradi kundërshton masat e tilla dhe akuzon Prishtinën për veprime kundër qytetarëve serbë të Kosovës.