Tensionet në veri të Kosovës, PD mbështet vendimin e qeverisë Kurti dhe dënon veprimet e Serbisë

Publikuar më: 1/8/2022, ora 17:14

Tensionet në veri të Kosovës, PD mbështet vendimin e qeverisë Kurti dhe dënon veprimet e Serbisë

Publikuar më: 1/8/2022, ora 17:14

Përmes ish-ministrit të Jashtëm Aldo Bumçi, Partia Demokratike deklaroi se mbështet të drejtën e qeverisë së Kosovës për reciprocitet, dhe nga ana tjetër e konsideron të matur shtyrjen me një muaj zbatimin e vendimit me kushtin që të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.

“Ne e inkurajojmë si të drejtë vendimin e qeverisë së Kosovës për të vendosur reciprocitet në marrëdhëniet me Republikën fqinje të Serbisë. Përshëndesim maturinë dhe vendosmërinë e autoriteteve të Republikës së Kosovës dhe vetëpërmbajtjen e qytetarëve të saj në menaxhimin e kujdesshëm të këtij provokimi të përsëritur”.

Demokratët dënojnë veprimet me të cilat Serbia synon destabilitetin e Kosovës.

“Qeverisë së Serbisë, i bëjmë thirrje t’u përmbahet të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut, dhe t’i zbatojnë ato pa vonesë. Ne dënojmë përpjekjet e Serbisë, përmes deklaratave dhe veprimeve që nxisin konfliktin, synojnë destabilizimin e Kosovës, dhe janë me pasoja për të gjithë rajonin”.

Tensioni në veri të Kosovës ishte një argument që demokratët ta quanin hipokrite nismën e Ballkanit të Hapur dhe bashkëpunimin në kuadër të saj të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama me presidentin serb Aleksandër Vucic.

“Nëse hapja do të ishte synimi i tyre, nëse Kosova do të konsiderohej, siç thonë, e mirëpritur në këtë projekt, aktet absurde të nacionalizmit të shekullit 19 dhe paradat e serbo-madhnisë në kufirin mes dy vendeve, nuk do të përsëriteshin edhe njëherë, në ato toka ku vetëm para pak vitesh luhej teatri i përgjakur i luftës”, shtoi Bumçi.

PD i kërkoi qeverisë Rama t’i përmbahet detyrimit kushtetues për të mbrojtur interesat kombëtare kurdo ato kërcënohen.