Ambasadorja e BE-së në Tiranë i paraqet letrat kredenciale presidentit Begaj

Publikuar më: 2/8/2022, ora 11:50
begaj hohmann 1

Ambasadorja e BE-së në Tiranë i paraqet letrat kredenciale presidentit Begaj

Publikuar më: 2/8/2022, ora 11:50

Ambasadorja e re e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, gjermania Christiane Hohmann filloi sot zyrtarisht misionin e saj në vend, duke i paraqitur letrat kredenciale presidentit Bajram Begaj.

Duke i uruar mirëseardhjen ambasadores, presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen politike dhe asistencën financiare që BE-ja i ka dhënë Shqipërisë në tri dekadat e fundit.

“I ndërgjegjshëm për sfidat dhe vështirësitë që vetë BE-ja e vendet anëtare të saj po kalojnë pas agresionit rus në Ukrainë, shpreh besimin se vëmendja e Bashkimit Evropian ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, do të jetë edhe më e madhe, duke e konsideruar procesin e zgjerimit si instrumentin më të mirë gjeopolitik për adresimin e kërcënimeve ndaj paqes dhe sigurisë së rajonit dhe të kontinentit në tërësi”, nënvizoi presidenti shqiptar.

Presidenti Begaj nënvizoi ndër të tjera dhe vullnetin politik të institucioneve shqiptare për të përparuar në rrugën e reformave, duke theksuar se integrimi evropian mbetet projekti dhe prioriteti më madhor i Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Nga ana e saj, ambasadorja Hohmann e uroi Presidentin Begaj për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Ajo foli për progresin e arritur nga Shqipëria deri tani dhe sfidat që ka përpara, ndërsa vendi nis një kapitull të ri në rrugën e tij drejt BE-së.

“Procesi i anëtarësimit në BE ka nevojë për përpjekje të qëndrueshme reformash nga Shqipëria përtej procesit të negociatave. Unë dhe ekipi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri jemi gati ta mbështesim vendin dhe popullin e tij në këtë rrugë emocionuese drejt anëtarësimit në BE”, tha Ambasadorja Hohmann.

Ambasadorja Hohmann ka shërbyer si ambasadore e Gjermanisë në Estoni dhe më parë si ambasadore në Bosnje dhe Hercegovinë. Para kësaj, Ambasadorja Hohmann ka mbajtur poste të ndryshme diplomatike në SHBA dhe në Komisionin Evropian.