Korridori Adriatiko-Jonian, shpallet gara ndërkombëtare për segmentet e Milot-Fier

Publikuar më: 2/8/2022, ora 12:57

Korridori Adriatiko-Jonian, shpallet gara ndërkombëtare për segmentet e Milot-Fier

Publikuar më: 2/8/2022, ora 12:57

Qeveria ka shpallur garën ndërkombëtare për segmentet rrugore nga Miloti deri në Fier, pjesë përbërëse të Korridorit Blu. Projekti vjen i ndarë, por pa kosto shtesë, për të mundësuar një garë më të leverdishme dhe një kohë më të shpejtë të ndërtimit.

“Kemi vendosur që një pjesë të Korridorit Blu 114 km do të hapim sot Milot-Fier, do e segmentojmë duke iu dhënë më shumë mundësi kompanive që të garojnë. Do të lançojmë sot segmentet Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe segmenti tjetër Lekaj – Fier, do të hapet sot gara ndërkombëtare. Për segmentin tjetër Thumanë-Kashar ka nisur puna, ndërsa për segmentin tjetër Milot-Muriqan po presim projektimin nga konsulentët”.

Ndërsa për segmentin Muriqan-Milot, sipas Ballukut, pritet të hapet gara menjëherë sapo të përfundojë konsulenca ndërkombëtare. Përgjatë këtij korridori me elemente të shtuara të sigurisë, shpejtësia e projektuar do të jetë nga 90-130 kilometra në orë dhe do të ofrohen rrugë alternative për drejtuesit.

Për kryeministrin Rama, ky investim përmbyll një fazë të rëndësishme të investimeve në infrastrukturë.

“Me këtë korridor, mbyllet një pjesë e madhe e rrjetit kryesor të Shqipërisë ndërkohë që ne po punojmë edhe për projektin e zgjerimit të rrugës nga Elbasani në Qafë-Thanë dhe po punojmë përsëri me Bashkimin Europian dhe Planin Ekonomik të Investimeve që Korridori i 8-të jetë një realitet në pikëpamje të çdo standardi, jo thjesht një rrugë e hapur për të kaluar, siç është sot, dhe faza tjetër është faza e hekurudhave. Aeroportet tanimë janë të gjitha në proces”.

Ministrja e Infrastrukturës Balluku dha detaje edhe për përfundimin e Rrugës së Arbrit, ku Tuneli i Murrizit ka shtyrë afatin e dorëzimit edhe me 17 muaj, por pa asnjë kosto shtesë në kontratë.

Korridori Adriatiko-Jonian, apo ndryshe Korridori Blu, është një nga segmentet më strategjike të Bashkimit Europian, që do t’i mundësojë Shqipërisë ulje të kostove të transportit dhe një rritje të turizmit dhe shkëmbimeve tregtare.