Rikthimi politik i Ilir Metës

Publikuar më: 2/8/2022, ora 21:06

Rikthimi politik i Ilir Metës

Publikuar më: 2/8/2022, ora 21:06

Në 30 vitet e fundit, Ilir Meta është politikani që ka provuar ndjesinë e të qenit në postet më të larta të hierarikisë shtetërore. Por, rikthimi në krye të forcës politike që themeloi në 2004, pas pesë viteve në zyrën e Presidentit të Republikës, kërkonte të ishte ndryshe.

Për të shmangur idenë se gruaja i ruajti partinë gjatë kohës që ishte President, Lëvizja Socialiste për Integrim ishte destinuar të ndryshonte imazh, duke filluar nga emri. LSI-së iu deshën vetëm 60 minuta që të ndryshonte emrin, pa u pyetur as anëtarësia e pa u votuar nga forumet. Detaj tregues se vendimet në atë parti i merr një person. 24 orë pasi kishte lënë zyrën e Presidentit, Ilir Meta tregoi se kush është shefi në atë forcë politike, ndonëse askush nuk kishte nevojë për shembuj prove.

Konventa nuk niste pa mbërritur ai. Së bashku me emrin, Ilir Meta duhet të ndryshonte edhe fytyrën e partisë. Ata që kishin drejtuar këtë forcë politike përgjatë 5 viteve, nuk duhet të ishin në ballë të foltores. Emrat e rinj kishin ardhur paketë nga zyra e Presidenti të Republikës. Ish-këshilltarët e tij, tanimë janë fytyra e re e Partisë së Lirisë. Rrugëtimi politik i Ilir Metës është më i veçanti i demokracisë në Shqipëri. Në moshën 30-vjeçare u bë kryeministër, në 2013 kryetar Kuvendi dhe së fundmi mbylli mandatin 5-vjeçar të Presidentit të Republikës. Por, kjo nuk mjafton për një politikan të sprovuar në çdo fushatë elektorale që nga viti 1992, vit në të cilin ai hyri zyrtarisht në elitën politike shqiptare duke u zgjedhur deputet.

Nga viti 2004, kur krijoi Lëvizjen Socialiste për Integrim, ulje-ngritjet nuk munguan. Shkëlqimi i vitit 2007, në koalicion me Edi Ramën, u eklipsua nga akuzat për tradhëti të së majtës në vitin 2009, kur me katër mandatet e tij të florinjta, bëri koalicion me Sali Berishën, duke qeverisur deri në 2013. Vendim i cili qëlloi të ishte më i suksesshmi, pasi rriti me më shumë se tre herë votat e partisë në më pak se 4 vjet.

Rotacioni politik i 9 viteve më parë, bëri që Meta të provonte moderimin e Kuvendit të Shqipërisë. Nuk ishin të pakta rastet kur sjelljet e tij apo mesazhet politike përbënin më shumë zhurmë në mejhanet politike shqiptare që lexoheshin herë si afrim me Sali Berishën e herë si ndarje me Edi Ramën, ndarje e cila u bë fakt i kryer në zgjedhjet e 2017. Pasditen e 28 prillit të atij viti, Kuvendi i dha 87 vota pro për të veshur kostumin e Presidentit, vota të cilat nuk e kishin bërë të lumtur.Gati tre javë pasi ishte votuar si President, kundërshtarët e tij politik, Edi Rama dhe Lulzim Basha, bënë marrëveshjen e famshme të 17 majit, që sot komentohet si tradhti ndaj opozitarizmit. 

Instiktet politike të Metës mposhtën qetësinë dhe dashurinë e katër viteve në krye të Kuvendit të Shqipërisë, ku ndonëse ishte zgjedhur President, nuk e pengoi të bënte fushatë për LSI-në. 2017 hyri në analet politike shqiptare si viti në të cilin PS arriti të fitonte e vetme në një sistem proporcional rajonal, ndërsa opozita e dalë nga ato zgjedhje, si formacioni politik më i dobët në 30 vite.

Vitet e para të presidencës së Ilir Metës ishin shembullore në raport me institucionet e tjera. Por, instikti prevalonte mbi protokollin. Në çdo moment kur Edi Rama mund të lëkundej në sytë e opinionit publik, Meta nuk ngurronte ta shfrytëzonte.Kështu bëri me protestën e studentëve në dhjetorin e vitit 2018, kur për herë të parë në histori, një President nuk dekretoi buxhetin e shtetit nën argumentin se qeveria duhet të dëgjojë kërkesat e studentëve, duke shtuar fondet për arsimin. Protesta e studentëve nxiti Ramën të kuptonte se duhej të lëvizte, gjë që solli ndryshime në një pjesë të mirë të kabinetit qeveritar. Por, Ilir Meta kërkoi t’i tregonte ish-aleatit se nuk mund ta injoronte duke e mbyllur në zyrën e Presidentit. Një mundësi ia dha propozimi për dekretimin e Sandër Lleshajt në detyrën e ministrit, i cili u la në pritje disajavëshe, duke u detyruar të zhveshë edhe zyrtarisht gradat ushtarake, para se të merrte dekretin presidencial.

Ndërsa, i preferuari i Edi Ramës për në krye të diplomacisë, Gent Cakaj, nuk mundi ta merrte asnjëherë statusin e Ministrit të Jashtëm, pasi Meta refuzoi ta dekretojë, duke e quajtur të papërshtatshëm për një pozicion delikat e të rëndësishëm. Edhe kjo ishte risi për zyrën e Presidentit.

Opozita e viteve 2017-2021 shkoi në ekstremitetin më të madh që kishte provuar politika shqiptare. Fillimisht, duke djegur mandatet parlamentare, ku përfshiheshin edhe ato të LSI-së.Bashkëshortja e Ilir Metës kishte vendosur të mos e dëgjonte burrin e saj, duke i besuar në këtë rast Lulzim Bashës.Nga djegie mandatesh, opozita shkoi në bojkot të zgjedhjeve vendore të 2019. Bojkot i cili u lajmërua me molotov në rrugët e Tiranës dhe jo vetëm.

Përballë aksioneve të forta të opozitës, Presidenti i Republikës ndërhyri sërish, duke vendosur përsëri një precedent të ri në drejtimin e institucionit të Kreut të Shtetit: “Kam vendosur anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit”. Ndonëse firma e Presidentit u hodh në letër, zgjedhjet nuk u shtynë asnjëherë. Falë edhe mbështetjes së ndërkombëtarëve, mazhoranca i zhvilloi e vetme zgjedhjet, ndërsa opozita i dorëzoi në tavolinë socialistëve të gjitha pushtetet, si në Parlament, ashtu edhe në qeverisjen vendore. PS kërkoi të merrte edhe zyrën e Presidentit, duke iniciuar një procedurë për shkarkim ndaj Ilir Metës, nën argumentin se kishte shkelur rëndë Kushtetutën, duke firmosur dekretin për anulimin e zgjedhjeve. Qëndrimet e PS-së nuk morën viston nga Komisioni i Venecias, duke kaluar me disa rekomandime insitucionale për Presidentin e Republikës.

Por, pa një opozitë të vërtetë, kush do ta kontrollonte qeverinë?

Tjetër akt i paprecedentë i Ilir Metës në drejtimin e Presidencës ishte thirrja e një proteste kundër qeverisë përballë zyrës së tij. Në 2 mars të vitit 2020, Kreu i Shtetit pa me sytë e tij rrugën për rikthimin në politikë. Vendi ishte pa një opozitë solide, ndërsa mbështetësit në shesh ishin shumë më shumë sesa ato që kishte parë në mitingjet e LSI-së. Por, fati politik nuk ishte me të. Vendi kaloi në izolim total për shkak të pandemisë Covid-19. Dhe zyra e Kreut të Shtetit, nga agresive kaloi në luajale, duke u kufizuar në thirrje drejtuar qeverisë për të bërë më shumë në menaxhimin e pandemisë.

Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, instinktet politike të Metës u zgjuan përsëri. Protagonizmi prevaloi mbi protokollin institucional dhe akuzat e Kreut të Shtetit ndaj kryeministrit u kthyen në rutinë. Përplasja shkoi deri në atë pikë, sa Ilir Meta filloi të dilte nga dy herë në ditë në konferenca për shtyp në godinën e Presidencës, për të vijuar më pas akuzat ndaj mazhorancës në studiot televizive të mbrëmjes. Furisë së tij nuk i shpëtuan as diplomatët e huaj, me të cilët u përplas edhe “live” nga ekrani, siç ishte rasti me ambasadoren amerikane.

Fjalët e dala nga goja e Ilir Metës nuk u harruan nga mazhoranca, aq më shumë nga Edi Rama.

“Nëse Rama fiton zgjedhjet, iki unë nga posti i Presidentit”, thonte Meta.

“Meqë Meta thotë që është burrë që mban fjalën, presim të ikë vetë nga Presidenca, në të kundërt do ta shkarkojmë”, kundërpërgjigjej Rama.

Zgjedhjet parlamentare të 25 prillit nuk ishin perfekte, por të mjaftueshme që ndërkombëtarët të certifikonin fitoren e tretë radhazi të Partisë Socialiste dhe mandatin e tretë të Edi Ramës kryeministër. Nga Parlamenti i mandateve të djegura tek ai i 25 prillit, duheshin edhe disa muaj për rotacion. Muaj të cilët u shfrytëzuan nga socialistët këtë herë për të tentuar së dyti shkarkimin e Ilir Metës. Ndonëse Kuvendi dha 104 vota pro shkarkimit të Presidentit, fjalën finale e kishte Gjykata Kushtetuese, ku u transferua beteja mes Metës dhe Ramës. Në disa seanca kushtetuese, socialistët argumentonin pse vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit duhej certifikuar, ndërsa presidenca hidhte poshtë të gjitha pretendimet.

Në finale, peshorja kushtetuese anoi nga Ilir Meta, duke mundur Edi Ramën për herë të dytë në iniciativat socialiste për shkarkimin e Presidentit: “Do të qëndroj në detyrë deri në 24 korrik 2022”.

Ilir Meta e mbajti fjalën dhe 12 orë pasi kishte dorëzuar çelësat e Presidencës te Bajram Begaj, u kthye në shtëpinë e tij politike, duke marrë teserën e LSI-së. Vitet në politikë i kanë mësuar të kuptojë nevojën për një arredim të ri. Lëvizja Socialiste për Integrim duhet të ndryshonte jo vetëm vizualisht.Nëse LSI kërkonte dëshpërimisht të gjente një identitet në të majtë, duke rikujtuar rregullisht luftën e partizantëve, Partia e Lirisë qartësisht kërkon vota nga çdo cep i spektrit politik: “Liritë janë të majta apo të djathta? Kushtetuta është e majtë apo e djathtë”.

Ndërkohë që politika bëhet gati të shkojë me pushime, Meta e ka deklaruar se do të jetë në punë. Ambiciet i ka të mëdha, duke nisur nga dëshira për të qenë lider i opozitës, në kushtet e një PD-je të përçarë dhe me kryetarin dy herë “non grata”. 

Rikthimi i tij duket se shqetësoi rivalët politikë, gjë që u dallua nga tempizmi me të cilin u ngrit akuza më e fundit ndaj Ilir Metës, si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Vetëm dy ditë pas largimit nga zyra e Presidencës, Autoriteti i Dosjeve njoftoi Kuvendin se kishte marrë një kërkesë nga një email anonim për të verifikuar pastërtinë e figurës së Ilir Metës. Njoftimi publik fliste vetëm për një politikan të nivelit të lartë me iniciale I.M., por në shkresën drejtuar Kuvendit, saktësohej se bëhej fjalë për ish-Presidentin Ilir Meta.

Për të rrëzuar certifikatën e pastërtisë që aktualisht gëzon Ilir Meta, autoriteti kërkon ndryshimin e ligjit për t’i dhënë mundësinë që të bëjë një tjetër verifikim, edhe për ata zyrtarë që kanë kaluar filtrat e dy komisioneve të famshme Mezini dhe Bezhani.

Qëndrimet e Autoritetit të Dosjeve dhe kryetares së Kuvendit nuk mbetën pa përgjigjen e Ilir Metës: “Del ajo pula aty (Lindita Nikolla), Autoriteti i Manipulimit të Dosjeve”.

Autoriteti i Dosjeve i ndryshoi korsinë ku nga autostrada opozitare, tanimë ka kaluar në maloren e shfajësimit.Sprovën e parë pritet ta ketë në sesionin e ri parlamentar, ku duket se ka një dakordësi për ta goditur politikisht.

Por, gara e vërtetë do të jetë ajo elektorale. E para ku do të maten forcat është vetëm pak muaj larg dhe koha për riorganizimin e strukturave, jo fort e bollshme.

Pas Rilindjes së PS dhe Rithemelimit të PD, LSI është forca e tretë që tenton atë që në gjuhën e marketingut quhet “ribrendim”, thënë ndryshe një përpjekje për të ndryshuar imazhin e saj të krijuar ndër vite. Zgjedhjet vendore të vitit 2023 do të tregojnë nëse, ndryshimi i emrit dhe logos, shoqëruar me disa portrete të reja, do të mjaftojnë apo jo.