SHBA vret liderin e al-Kaedës, al-Zawahri, një nga organizatorët e sulmeve të 11 shtatorit, Biden: U vendos drejtësi

Publikuar më: 2/8/2022, ora 07:14

SHBA vret liderin e al-Kaedës, al-Zawahri, një nga organizatorët e sulmeve të 11 shtatorit, Biden: U vendos drejtësi

Publikuar më: 2/8/2022, ora 07:14

Shtetet e Bashkuara kanë vrarë liderin e al-Kaedës, Ayman al-Zawahiri, në një sulm me dron në Afganistan, ka konfirmuar presidenti Joe Biden.

Ai u vra të dielën, në një operacion kundër terrorizmit të kryer nga CIA në kryeqytetin afgan, Kabul.

Presidenti Biden tha se Zawahiri kishte “kryer vrasje dhe dhunë kundër qytetarëve amerikanë”.

“Tani drejtësia është vendosur dhe ky lider terrorist nuk është më”, shtoi ai.

Zawahiri mori drejtimin e Al-Kaedës pas vdekjes së Osama Bin Ladenit në vitin 2011. Ai dhe Bin Laden komplotuan së bashku sulmet e 11 shtatorit dhe ai ishte një nga “terroristët më të kërkuar” të SHBA-së.

Zyrtarët thanë se Zawahiri ishte në ballkonin e një shtëpie të sigurt kur droni qëlloi dy raketa drejt tij.

Anëtarët e tjerë të familjes ishin të pranishëm, por ata nuk u dëmtuan dhe vetëm Zawahiri u vra në sulm, shtuan ata.

Biden tha se kishte dhënë miratimin përfundimtar për “goditjen e saktë” ndaj liderit 71-vjeçar të Al-Kaedës pas muajsh planifikimi.

“Pavarësisht se sa kohë duhet, pavarësisht se ku fshiheni, nëse jeni një kërcënim për popullin tonë, Shtetet e Bashkuara do t’ju gjejnë dhe do t’ju nxjerrin jashtë,” – tha zoti Biden, duke shtuar se nuk do të lëkunden kurrë të mbrojnë kombin dhe njerëzit.

Zoti Biden tha se Zawahiri kishte organizuar gjithashtu akte të tjera dhune, duke përfshirë bombardimin vetëvrasës të destrojerit detar USS Cole në Aden në tetor 2000, i cili vrau 17 marinarë amerikanë dhe sulmet e vitit 1998 ndaj ambasadave amerikane në Kenia dhe Tanzani, në të cilat humbën jetën 223 persona.

Ai këmbënguli se Afganistani nuk do të bëhet më kurrë një strehë e sigurt për terroristët.

Për kreun e Al Kaedas, Departamenti Amerikan i Shtetit kishte vendosur një shpërblim prej 25 milionë dollarësh. Sipas një raporti të OKB-së, deri në qershor 2021 al-Zawahri ishte fshehur në një qytet kufitar midis Afganistanit dhe Pakistanit.