Tragjedia në Himarë, Meta: Vrasje e paralajmëruar, rezultat i arrogancës së kryeministrit

Publikuar më: 2/8/2022, ora 19:40
meta 1280x688

Tragjedia në Himarë, Meta: Vrasje e paralajmëruar, rezultat i arrogancës së kryeministrit

Publikuar më: 2/8/2022, ora 19:40

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, e konsideroi tragjedinë e sotme të ndodhur në Himarë, ku një polic përplasi për vdekje me gomone një vajzë 5-vjeçare në plazh, një “vrasje të paralajmëruar” dhe rezultat të “arrogancës së kryeministrit” Edi Rama.

“Tronditje e rëndë për mbarë opinionin publik. Kjo ishte vrasje e paralajmëruar. Vetëm pak javë më parë, në Jalë, një gomone plagosi dy pushues. Raste të tilla kemi patur edhe në Radhimë dhe në zona të tjera të vendit. Menaxhimi i sigurisë në plazhe ka qenë dhe mbetet katastrofik. Ku shkojnë miliona euro për sigurinë në plazhe? Si mundet të dilet e të thuhet që përgjegjësia është individuale? Të gjithë qytetarët janë të bindur se arroganca që tregojnë forcat e policisë nuk ndodh rastësisht. Edhe personi që ka kryer këtë vepër kaq të rëndë sot, rezulton i pezulluar në të kaluarën dhe i riintegruar në forcat e Policisë së Shtetit, si shumë të tjerë që kanë bashkëpunuar me organizata kriminale dhe më pas, për shkak të shërbimeve elektorale që ofrojnë, rikthehen pas ndërhyrjes së “dorës së ngrohtë” të partisë”, tha Meta.

“Është rezultat i arrogancës së kryeministrit, i cili, kur ndodhin të tilla ngjarje, thotë “mos e politizoni”. E harruat se çfarë ndodhi me të riun gjatë periudhës së pandemisë, me Rashën që u vra se shkoi të blinte një paketë cigare? Akte që vijnë nga policë të droguar. Vetëm pasi reagoi populli, pranuan të vërtetën e ngjarjes, pasi fillimisht u munduan ta fshihnin dhe manipuluar ngjarjen”, shtoi Ilir Meta.