9 muaj hetime dhe 25 të arrestuar për trafik droge drejt Turqisë, arrestohen edhe 2 punonjës të një kompanie private

Publikuar më: 3/8/2022, ora 15:39
droga 1 1280x720

9 muaj hetime dhe 25 të arrestuar për trafik droge drejt Turqisë, arrestohen edhe 2 punonjës të një kompanie private

Publikuar më: 3/8/2022, ora 15:39

Dy punonjës të një kompanie private ushqimore, njëri prej të cilëve transportuesi i saj, kanë rënë në prangat e Policisë së Korçës në vijim të operacionit “Restart”, i nisur nëntë muaj më parë.

Sipas Policisë, të arrestuarit fshehën lëndën narkotike në shufra plastike, në rimorkion e kamionit, me qëllim trafikimin e saj drejt Turqisë, si dhe janë sekuestruar 101 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Me arrestimin e tyre ka shkuar në 25 numri i të ndaluarve, në këtë operacion, si dhe janë sekuestruar në total 666.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis dhe 550 gramë kanabis në formë çokollate.

Njoftimi i Policisë Korçë

Në vijim të operacionit antidrogë të koduar “Restart”, nisur nëntë muaj më parë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë, nën drejtimin e Prokurorisë, finalizuan me sukses fazën e njëmbëdhjetë të tij. Si rezultat i saj, u bë ndalimi i shtetasve:

Mico Rexhepis, 58 vjeç, banues në Tiranë dhe Arben Marku 45 vjeç, banues në Fushë Krujë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Shërbimet e Policisë kishin grumbulluar informacion se nëpërmjet Greqisë, me një mjet të tonazhit të rëndë, do të trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike. Pas këtij informacioni, është organizuar puna në bashkëpunim me punonjësit e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë dhe në dalje të Republikës së Shqipërisë, u bë i mundur ndalimi i mjetit tip kamion i markës “Scania”, me drejtues shtetasin Mico Rexhepis.

Nga kontrolli i ushtruar në rimorkion e automjetit, u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 101 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se shtetasi Arben Marku (punonjës i një kompanie private ushqimore, me qendër në qytetin e Tiranës) në bashkëpunim me persona të tjerë, kishte ngarkuar lëndën narkotike në automjet, ndërsa shtetasi Mico Rexhepis (shofer në kompani) do të kryente transportin e sasisë, në drejtim të Turqisë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.