“Ngjarje e rëndë, por jo e papritur”, eksperti fajëson institucionet për moszbatimin e ligjit në det

Publikuar më: 3/8/2022, ora 09:26

“Ngjarje e rëndë, por jo e papritur”, eksperti fajëson institucionet për moszbatimin e ligjit në det

Publikuar më: 3/8/2022, ora 09:26

Osman Metalla, ekspert i të drejtës detare, në një lidhje direkte me studion e “Ditarit” në A2 CNN, deklaroi se mjetet motorike nuk mund të dalin në breg, por bregëzohen vetëm në vendet e caktuara dhe fajësoi institucionet për zbatimin e ligjit në hapësirën detare.

“Kjo ishte ngjarje e rëndë, por jo e papritur, pasi kemi dëgjuar për aksidente të tilla në vazhdimësi. Pak ditë më parë, në Dhërmi, një gomone plagosi dy persona të tjerë. Pushteti vendor dhe i gjithë zinxhiri i institucioneve që ka përgjegjësi direkte për ofrimin e sigurisë në det, nuk ka funksionuar. Kjo kulmoi me ngjarjen e tmerrshme që ndodhi dje”, tha Metalla.

“Bazën ligjore e kemi, janë të parashikuara shumë saktë mënyrat e organizimit të plazheve dhe elementet e sigurisë që duhet të ofrojnë ato, por çalojmë te zbatimi i ligjit. Nuk mund të vijë një mjet me motor në breg. Janë institucionet ata që duhet të kërkojnë zbatimin e ligjit në hapësirën detare. Më shumë sesa individin, unë fajësoj institucionet”, shtoi eksperti.

Kur u pyet se sa metra larg bregut duhet të qëndrojnë mjetet motorike, eksperti tha: “Mjetet motorike nuk bregëzohen kudo, por vetëm në portet turistike apo vende të përkohshme në pika të caktuara të bregut. Nuk mund të dalë një mjet me dy motorë në breg. Një “jet-ski” nuk mund të bëjë spektakël në breg. 300-400 metra nga bregu, mjeti duhet të ulë shpejtësinë. Këtë gjë, në bregdetin tonë, nuk e shohim kurrë të zbatohet”.

“Individëve nuk u kërkohet as regjistrim, as patent. Kudo në Shqipëri, kushdo mund të marrë një mjet motorik, mjafton të paguajë. E merr, e përdor dhe e kthen në breg sërish”, shtoi eksperti.