Pelosi viziton Tajvanin, zemërohet Kina, dërgon avionët e luftës pranë ishullit

Publikuar më: 3/8/2022, ora 11:41

Pelosi viziton Tajvanin, zemërohet Kina, dërgon avionët e luftës pranë ishullit

Publikuar më: 3/8/2022, ora 11:41

Avioni i Air Force me në bord kryetaren e Dhomës së Përfaqësueseve në SHBA, Nancy Pelosi, u ul në Tajvan pasditen e së martës, në një vizitë të dënuar ashpër nga Kina.

Pelosi, politikania me e lartë që viziton ishullin e pretenduar nga Pekini në 25 vjet, tha se delegacioni i saj kishte ardhur për ta bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do ta braktisnin Tajvanin dhe se mbështesnin lirinë e qytetareve të tij.

Megjithatë, demokratja cila zhvilloi një takim me presidenten Tsai Ing-wen , u kujdes të theksonte se vizitonte rajonin në paqe dhe miqësi.

 “Tajvani ka qenë ishulli i rezistencës në botë. Populli i Tajvanit i ka treguar se me shpresë, guxim dhe vendosmëri është e mundur të ndërtohet një e ardhme paqësore dhe me prosperitet. Edhe përballë sfidave me të cilat përballemi. Kështu tani, më shumë se kurrë, solidariteti i SHBA me Tajvanin është thelbësor dhe ky është mesazhi që ne përcjellim këtu sot”, deklaroi Pelosi.

Pelosi u takua gjithashtu më zëvendëskryetarin e parlamentit Tsai Chi-Chang. Kina, e cila më herët paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të paguanin një çmim për vizitën e Pelosit, nuk qëndroi duarkryq.

Përgjatë gjithë ditës e shprehu qartë irritimin, deri sa në mbrëmje thirri për sqarim ambasadorin amerikan Nicholas Burns.

Gjatë orëve të fundit avionë lufte të Kinës u evidentuan pranë ngushticës së Tajvanit, e po ashtu luftanije u panë jo shumë larg kufirit.

Manifestime në Tajvan

Ministria e Jashtme në Pekin e cilësoi vizitën një shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial, ndaj së cilës paralajmëroi aksione të shënjestruara. Nuk vonoi njoftimi për nisjen e stërvitjeve të rëndësishme ushtarake, nga enjtja deri të dielën në 7 zona detare rreth Tajvanit. Taipei denoncoi stërvitjen e shkallës së gjerë si shkelje të rregullave të OKB, dhe njoftoi se 21 avionë ushtarakë të Pekinit kishin hyrë në hapësirën ajrore të ishullit, në një demonstrim të menjëhershëm të forcës.

Tajvani është një ishull me vetëqeverisje, por Kina e sheh si rajon të shkëputur të saj, dhe pretendon bashkimin. SHBA e ka pranuar politikën e një Kine të vetme, por ka ruajtur gjithashtu marrëdhëniet me Tajvanin të cilit i shet edhe armë për t’u vetëmbrojtur. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë e ka kundërshtuar vizitën e Pelosit, me presidentin Biden që tha se nuk ishte një ide e mirë.

Ndërkohë, ka reaguar edhe Moska zyrtare. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se vizita e zyrtares së lartë amerikane në Tajvan, ishte një përpjekje e qëllimshme e Uashingtonit për të irrituar Kinën.

“Nuk guxoj të gjykoj se çfarë i shtyu të organizonin vizitën në Tajvan, por nuk kam dyshime se kjo reflekton të njëjtën linjë për të cilën kemi folur lidhur me situatën në Ukrainë: dëshirën e Shteteve të Bashkuara për t’i treguar kujtdo se janë mospërfillës dhe se mund të bëjnë çfarë të duan. Nuk shoh arsye tjetër për të krijuar një bezdisje të tillë gati nga hiçi, duke e ditur se çfarë nënkupton kjo për republikën popullore të Kinës”, deklaroi ministri i Jashtëm rus.