Tensionet në veri, Vuçiç: Do të takoj Kurtin më 18 gusht, por nuk kemi për çfarë të flasim

Publikuar më: 3/8/2022, ora 14:21
VUCIC DIALOGU TENSIONET frame 2404 1280x703

Tensionet në veri, Vuçiç: Do të takoj Kurtin më 18 gusht, por nuk kemi për çfarë të flasim

Publikuar më: 3/8/2022, ora 14:21

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Brukselit për një raund të ri bisedimesh me Kosovën më 18 gusht, por pohoi se nuk e di se për çfarë mund të flasë me kryeministrin Albin Kurti.

“Gjithçka është konsumuar dhe nuk e dini më se çfarë mund të bëni. Unë do të shkoj, por nuk pres asgjë. Kushdo që mendon se me Kurtin ka gjasa të ruhet paqja, e ka shumë gabim”, deklaroi Vuçiç në televizionin publik.

Më 1 gusht, presidenti serb Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ftuan  nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell, për të vazhduar dialogun për të gjitha çështjet e hapura. Edhe pse nuk e konfirmoi ftesën, shefi i ekzekutivit të Kosovës Albin Kurti, deklaroi se është i gatshëm për dialog me Serbinë.

Ai pohoi se një takim me Vuçiçin ishte paraparë për 19 korrik, por presidenti serb kishte kërkuar që të shtyhet takimi.

“Unë kam shprehur gatishmërinë time që kur të na thërret përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, do të shkojmë në Bruksel. Një ftesë të tillë deri në këto momente nuk e kemi. Në momentin që do ta kemi, sigurisht që do ta bëjmë publike dhe do të shprehim qëndrimin tonë. Ne jemi për dialog të përgatitur mirë, parimor, të balancuar drejt një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përqendruar në njohjen reciproke. Gatishmëria nga ana jonë ekziston”, tha kryeministri kosovar.

Ftesa për dialog erdhi në kohën e rritjes së tensioneve në Kosovë, pasi serbët lokalë vendosën barrikada në veri të vendit, duke bllokuar rrugët që çonin në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak. Serbët kundërshtuan dy vendime të qeverisë së Kosovës, që kishin të bënin me targat dhe dokumentet serbe, por më 1 gusht barrikadat u hoqën dhe Kosova shtyu zbatimin e vendimeve deri në shtator.

Duke folur për tensionet në veri të Kosovës, Vuçiç tha se shteti ishte“ një hap larg katastrofës” dhe paralajmëroi se përgjigjja e Serbisë do të ishte e ndryshme nëse serbët do të sulmoheshin.