
Trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa mesazh rivalëve: Duam titullin kampion
Një javë pas eliminimit nga Universitatea Craiova në Conference League, Mirel Josa analizoi paraqitjet e Vllaznisë. Por, më tepër se ajo që ndodhi, trajneri artikuloi mesazhe të rëndësishme për rivalët, duke mos i fshehur synimet drejt titullit.
“Synimi i Vllaznisë është të jetë skuadër sa më e konsoliduar. Kush është ai që s’do të dali kampion. Unë këtë impenjim e kam parë te lojtarët. Në mënyrën si stërviten”, u shpreh Josa.
Duke mos pranuar të bëjë krahasime me Skënderbeun e viteve të arta, ku fitoi katër tituj kampion me radhë dhe u bë trajneri më i suksesshëm në futbollin shqiptar, 59-vjeçari premtoi betejë të fortë.
“Unë dhe lojtarët e mi jemi gati për luftë. Njëra skuadër vritet, tjetra shpëton e mbijeton. Do të hyjmë për të bërë më të mirën dhe për të fituar ndeshjen”, shtoi ai.
Vllaznia e nis kampionatin më 20 gusht, me transfertën ndaj debutuesve të Erzenit.