Vrasja e Al-Zawahiri, SHBA paralajmëron për sulme hakmarrëse

Publikuar më: 3/8/2022, ora 16:17

Vrasja e Al-Zawahiri, SHBA paralajmëron për sulme hakmarrëse

Publikuar më: 3/8/2022, ora 16:17

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje qytetarëve të jenë vigjilentë ndaj një sulmi të mundshëm kundër amerikanëve jashtë vendit, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e liderit të Al-Kaedës, Ayman al-Zawahiri.

“Departamenti Amerikan i Shtetit tha se vdekja e tij mund të nxisë mbështetësit e Al-Kaedës apo grupeve të tjera terroriste të shënjestrojnë struktura apo personel amerikan. Departamenti Amerikan i Shtetit beson se ka mundësi të shtuar për dhunë antiamerikane pas vrasjes së Ayman al-Zawahiri më 31 korrik. Informacionet aktuale sugjerojnë se organizata terroriste vazhdojnë të planifikojnë sulme kundër interesave amerikane në rajone të ndryshme rreth globit. Sulmet mund të përfshijnë një sërë taktikash, përfshirë operacione kamikaze, vrasje, rrëmbime, pengmarrje dhe bombardime”, njofton DASH.

Dash paralajmëron qytetarët të ruajnë një nivel të lartë vigjilence kur udhëtojnë jashtë vendit.  Al-Zawahiri, i konsideruar si truri i sulmeve terroriste të 11 shtatorit ku humbën jetën rreth 3 mijë qytetarë, u vra në një sulm me dron të Shteteve të Bashkuara në kryeqytetin Kabul.

Njeriu që mori drejtimin e Al-Kaedës pas vrasjes së Osama Bin Laden, u tradhtua nga zakoni për të kaluar kohë në ballkonin e shtëpisë që e mendonte të sigurt në Kabul. Në orën 06:18 me orën lokale të 31 korrikut, pak para se të agonte dy predha me precizion të lartë zbarkuan në ballkonin e tij, duke e vrarë në vend 71-vjeçarin, por pa lënduar as bashkëshorten e as vajzën e tij. Pamje dhe imazhe satelitore të publikuara të martën tregojnë lagjen në Kabul dhe godinën që mendohet të jetë banesa ku mbeti i vrarë terroristi i shumëkërkuar.