Vrasja për parkimin, 51-vjeçari i akuzuar shpreh habi në gjyq: S’e kuptoj si ka ndodhur

Publikuar më: 3/8/2022, ora 15:55

Vrasja për parkimin, 51-vjeçari i akuzuar shpreh habi në gjyq: S’e kuptoj si ka ndodhur

Publikuar më: 3/8/2022, ora 15:55

Në daljen e tij të parë në gjykatë, 51-vjeçari i akuzuar për rrahjen me pasojë vdekjen e fqinjit të tij, pas konfliktit për një vend parkimi në Tiranë, ka shprehur habi për ngjarjen.

“Nuk e kuptoj si ka ndodhur”, është shprehur i arrestuari Alban Mneri. Ndonëse e ka pranuar se është konfliktuar fizikisht me fqinjin, Nikolin Staka, Mneri ka thënë se “s’ka mundësi të shkonte deri këtu”.

Më tej, ai ka pretenduar se para konfliktit kishte konsumuar alkool, fakt që nuk është mbështetur nga hetimi i prokurorisë. Me gjithë pretendimet e Mnerit, gjykata caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” për akuzën e “plagosjes së rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen.

Në seancë prokuroria paraqiti si provë deklarimet e klientes së parukerisë pranë shtëpisë së të dyshuarit, atë të një fqinje, si edhe aktin e këqyrjes së trupit të 56-vjeçarit, ku konstatoheshin shenja hematomash në disa pjesë të trupit.

Sipas prokurorisë, pasditen e 30 korrikut në rrugën “Sulejman Pitarka” Alban Mneri është konfliktuar me klienten e një parukerie, që kishte parkuar në një vend që pretendohej të ishte i tij. Pasi fqinji i tij, Nikolin Staka i ka tërhequr vëmendjen nga ballkoni për të ulur gjakrat, Mneri i ka thënë “zbrit poshtë, se ta tregoj”. Pak çaste më vonë, 56-vjeçari është përballur me sulmin fizik të Mnerit. Disa orë më vonë, Staka ka ndërruar jetë në banesë dhe sipas prokurorisë dyshohet që vdekja të ketë ardhur si pasojë e dëmtimeve nga goditjet e Mnerit.