Drejtësi për Jonadën, protestë qytetare në Tiranë, ultimatum për dorëheqjen e ministrave

Publikuar më: 4/8/2022, ora 19:07
WhatsApp Image 2022 08 04 at 7.55.17 PM 1 1280x720

Drejtësi për Jonadën, protestë qytetare në Tiranë, ultimatum për dorëheqjen e ministrave

Publikuar më: 4/8/2022, ora 19:07

Për rreth dy orë, qindra qytetarë të Tiranës morën pjesë në protestën e organizuar nga shoqëria civile për të nderuar 7-vjeçaren Jonada Avdia, e cila humbi jetën në plazhin e Potamit në Himarë, pasi u godit nga një skaf që drejtohej nga oficeri i policisë Arjan Tase.

Protesta nisi përpara Ministrisë së Brendshme, ku protestuesit kërkuan dorëheqjen e ministrit Çuçi dhe Drejtorit të Policisë, Gledis Nano, por edhe të ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro, madje lanë dhe një afat 72 orë për shkarkimin e tyre, në të kundërt protesta do të vijojë. Një moment tensioni u shënua para godinës së ministrisë, por që u shua shumë shpejt.

Protestuesit ndezën qirinj dhe vendosën lule, për t’u zhvendosur më pas përpara Kryeministrisë, Presidencës dhe Drejtorisë së Policisë.

Qytetarë të shumtë morën fjalën, të cilët njëzëri kërkuan dorëheqjen e ministrave përgjegjës për këtë ngjarje dhe drejtësi për të miturën që humbi jetën në mënyrë tragjike.

Protestës qytetare iu bashkuan dhe drejtuesit e opozitës, Sali Berisha dhe Ilir Meta, të cilët zgjodhën të mos iu drejtoheshin të pranishmëve.

I pyetur nga gazetarët, ish kryeministri Sali Berisha e konsideroi ngjarjen si shumë tragjike dhe shtoi se qytetarët kërkojnë dorëheqjen e ministrave.

“Po të isha në vendin e Ramës, nëse Çuçi nuk do të kishte ikur për 3 minuta, në të 4 do e kisha shkarkuar, atë dhe ministren e Turizmit. Këta përpiqen që me zinxhirin e policisë së Vlorës, të kapërcejnë një nga ngjarjet më tragjike që ka ndodhur në këtë vend”, tha Berisha.

Ndërsa, ish presidenti Ilir Meta përveç dorëheqjes së ministrave tha para kamerave se qytetarët duhet intensifikojnë protestat kundër kësaj qeverie.

“Zgjidhja është protesta, dorëheqja e gjithë ministrave përgjegjës dhe kryetarit të Bashkisë ku ka ndodhur ngjarja ose shkarkimi I tyre.

Qytetaret duhet të shumëfishojnë vrullin, intensitetin e protestës. Të vrasin frikën dhe të triumfojë liria. Familjet shqiptare janë në gjendjen më të rëndë nga ana ekonomike, nga problemet sociale, sa shumë të rinj të prekur nga fenomeni i drogës”, tha Ilir Meta.

Aktualisht autori i kësaj ngjarje të rëndë Arjan Tase është arrestuar dhe policia ka referuar për të akuzën e vrasjes nga pakujdesia , e cila parashikon një dënim nga gjobë deri në 5 vite burg, akuzë kjo që sipas burimeve pritet të ndryshojë nga prokuroria në seancën që do të mbahet të premten në Gjykatën e Vlorës.

7-vjeçarja Jonada Avdia u godit nga skafi me motor të fuqishëm në plazhin e Potamit, pasi efektivi Tase kishte lënë familjen e tij dhe me shpejtësi po manovronte për t’u kthyer në det të hapur.

Për këtë ngjarje të rëndë, u shkarkuan nga detyra dhe zinxhiri drejtues i i Policisë së Kufirit në Vlorë.

Kronologjia e protesës

20:45-Protestuesit i drejtohen Drejtorisë së Policisë

20:27-Pas Kryeministrisë, protesta për drejtësi për të miturën Jonada Avdia u zhvendos përpara Presidencës.

20:20-Protestuesit ngjisin shkallët para Kryeministrisë dhe ndezin qirinj, dëgjohen dhe thirrje për dorëheqjen e Kryeministrit, Edi Rama.

20:07-Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ishte i pranishëm në protestën që po mbahet në Tiranë për të përkujtuar të miturën që humbi jetën në mënyrë tragjike në plazhin e Potamit në Himarë pasi u godit nga një skaf.

Ish presidenti kërkoi dorëheqjen e ministrave dhe kreut të Bashkisë ku ndodhi ngjarja dhe iu bëri thirrje qytetarëve që të shumëfishojnë intensitetin e protestës.

20:03Është zhvendosur përpara kryeministrisë protesta e shoqërisë civilë për vdekjen e 7 vjeçares Jonada Avdia.

Pasi protestuan për rreth një orë përpara Ministrisë së Brendshme, ku kërkuan dorëheqjen e titullarit Çuçi dhe Drejtorit të Policisë, pjesëmarrësit në protestë marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t’u ndalur përpara Kryeministrisë.

Pjesëmarrësit kërkojnë mbajtjen e një përgjegjësie për atë që e konsiderojnë një krim të paralajmëruar.

Protestës i është bashkuar kreu i opozitës Sali Berisha dhe lideri i Partisë së Lirisë Ilir Meta.

19:38-Tension në protestën për Jonadën, protestuesit përplasen me policinë

Një moment tensioni është regjistruar në protestën homazh në nder të 7 vjeçares Jonada Avdia e cila po mbahet në Tiranë.

Pjesëmarrësit në protestën bën thirrje për grumbullimin e tyre në sheshin pas Ministrisë së Brendshme, por hasën në rezistencën e kordonit të policisë, që ishte vendosur aty për ruajtjen e godinës.

Protestuesit kërkojnë drejtësi për 7 vjeçaren e vrarë në mes të detit nga një skaf i fuqishëm që drejtohej nga një efektiv policie dhe dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, asaj të Turizmit dhe Drejtorit të Policisë.

Momenti i tensionit nuk shkoi më tej në protestë, e cila po vijon paqësisht.

19:00-Po mbahet në Tiranë protesta e organizuar nga shoqëria civile për vdekjen e vogëlushes Jonada Avdia, e cila humbi jetën dy ditë më parë ndërsa lahej në det pasi u përplas nga një skaf i fuqishëm që drejtohej nga një oficer policie.

Protestës së shoqërisë civile nën moton “Nuk e vrau varka, por shteti” i janë bashkuar dhe shumë mbështetës të opozitës.

Protestuesit kërkojnë përveç dënimit maksimal për autorin e ngjarjes dhe dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi dhe asaj të Turizmit, Mirela Kumbaro.

Aktualisht autori i kësaj ngjarje të rëndë Arjan Tase është arrestuar dhe policia ka referuar për të akuzën e vrasjes nga pakujdesia , e cila parashikon një dënim nga gjobë deri në 5 vite burg, akuzë kjo që sipas burimeve pritet të ndryshojë nga prokuroria në seancën që do të mbahet të premten në Gjykatën e Vlorës.

7-vjeçarja Jonada Avdia u godit nga skafi me motor të fuqishëm në plazhin e Potamit, pasi efektivi Tase kishte lënë familjen e tij dhe me shpejtësi po manovronte për t’u kthyer në det të hapur.

Mëngjesin e së enjtes, drejtues të opozitës, por edhe vetë Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ishin për ngushëllim në familjen e viktimës.

Për këtë ngjarje të rëndë, u shkarkuan nga detyra dhe zinxhiri drejtues i i Policisë së Kufirit në Vlorë.