Taksa për kompanitë energjetike, Guterres: E pamoralshme, arkëtime rekord, ndërsa njerëzit vuajnë

Publikuar më: 4/8/2022, ora 16:39

Taksa për kompanitë energjetike, Guterres: E pamoralshme, arkëtime rekord, ndërsa njerëzit vuajnë

Publikuar më: 4/8/2022, ora 16:39

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, kërkon që kompanitë e gazit dhe naftës të përballen me taksa të veçanta. Komentet e tij, vijnë ndërsa çmimet në rritje të energjisë të nxitura nga lufta në Ukrainë, kanë rritur ndjeshëm përfitimet e industrisë.

Guterres tha se ishte imorale që firmat të përfitonin nga kriza. Shefi i OKB-së paralajmëroi se çmimet në rritje do të kishin pasoja të rënda, me shumë vende në zhvillim që mund të rrezikojnë falimentimin. 

“Është e pamoralshme për kompanitë e naftës dhe të gazit të gjenerojnë përfitime rekord nga kjo krizë energjetike, në kurriz të më të varfërve dhe klimës. Përfitimet e kombinuara të kompanive më të mëdha të energjisë  në pjesën e parë të vitit janë pranë 100 miliardë eurove. U bëj thirrje qeverive të taksojnë këto përfitime dhe të përdorin fondet për të mbështetur personat më vulnerabël përgjatë këtyre kohërave të vështira”, tha Guterres.

Lufta ruse në Ukrainë ka reduktuar qasjen ndaj naftës dhe gazit rus, duke përkeqësuar mungesat globale e duke nxitur rritjen e çmimeve të burimeve të energjisë. Ndërsa faturat mujore për familjarët po bëhen të papërballueshme, kompanitë po shijojnë fitime rekord.

“British Petrolium” raportoi fitimet më të mëdha në 14 vite, e po ashtu fitimet e Shell nga prilli në qershor prekën vlera rekord. Së bashku, 4 nga kompanitë më të mëdha energjetike, Exxon, Chevron, Shell dhe Total Energies, arkëtuan rreth 51 miliardë dollarë në 3-mujorin e fundit, gati dyfishi i fitimeve në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Muajin e kaluar, Britania e Madhe aprovoi një taksë prej 25 për qind për firmat e energjisë, para të cilat tha se do të përdoreshin për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të thjeshtë të përballojnë kostot. Masa të ngjashme janë miratuar edhe në disa vende të tjera si Italia. Por ligjvënësit në Francë e kanë refuzuar një hap të tillë e po ashtu Shtetet e Bashkuara janë larg marrjes së një vendimi.