Vendimet për reciprocitetin, Kurti: U shtynë nga dezinformatat serbe, reagon Petkoviç

Publikuar më: 4/8/2022, ora 16:44

Vendimet për reciprocitetin, Kurti: U shtynë nga dezinformatat serbe, reagon Petkoviç

Publikuar më: 4/8/2022, ora 16:44

Shtyrja e zbatimit të vendimeve për reciprocitet me Serbinë u bë për shkak të fushatës së madhe të dezinformimit të Beogradit për qytetarët e Kosovës. Kështu tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës parlamentare të 4 gushtit.

Sipas tij, dezinformatat shtynë qeverinë e Kosovës të pranojë tek faktori ndërkombëtar shtyrjen e vendimit deri më 1 shtator

“Ka qenë e egër fushata e dezinformimit, është folur për operacionin Stuhia, se do të ndodhë të dielën, është folur për ferrin që do t’i pllakosë serbët në Kosovë, e të tjera e të tjera. Ajo që është dashur të ndodhë para 11 viteve, ne po fillojmë ta zbatojmë tani. Njëmbëdhjetë vjet ka pasur pritje e tash më pak se 1 muaj ka nxitim. Pra, ky muaj qenka shumë më i rëndë se ato 11 vjet”, tha kryeministri.

Kurti theksoi se janë të vendosur në implementimin marrëveshjeve në veri të vendit dhe se nga 1 shtatori do fillojë zbatimi i vendimit të qeverisë.

Ndaj deklaratave të Kurtit ka reaguar drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Ai ka thënë që Kurti është i vetmi që “dezinformon dhe gënjen”.

“E vërteta e vetme është se Kurti dhe njësitë e tij speciale, nën komandën e tij, po përgatiteshin të kryenin dhunë të paprecedentë ndaj serbëve në Kosovë dhe Metohi dhe se fatkeqësia u shmang vetëm falë politikës së qetë, e të balancuar diplomatikisht dhe mbi të gjitha të vendosur të presidentit Aleksandar Vuçiç”.

Në një mbledhje të rregullt më 29 qershor, qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet për hyrjen e shtetasve të Serbisë në Kosovë, si dhe për mundësinë e riregjistrimit të veturave me targa të qyteteve në Kosovë, të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë, me ato RKS.

Por një ditë para hyrjes në fuqi të vendimit, më 1 gusht, serbët vendosën barrikada në dy rrugët që çojnë për në pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Pas tensioneve, bllokimit të rrugëve në veri dhe ndërhyrjes ndërkombëtare, Kosova u pajtua që të shtynte lëshimin e formularëve për shtetasit serbë deri në fillim të shtatorit, si dhe periudhën dymujore për riregjistrimin e targave.