Kongresi amerikan, projektligj për të luftuar korrupsionin në Ballkanin Perëndimor

Publikuar më: 5/8/2022, ora 11:55

Kongresi amerikan, projektligj për të luftuar korrupsionin në Ballkanin Perëndimor

Publikuar më: 5/8/2022, ora 11:55

Një grup senatorësh amerikanë, nga të dyja krahët, paraqitën një projektligj që synon të mbështesë zhvillimin ekonomik, tregtinë, si dhe të luftojë korrupsionin, përfshirë hartimin e legjislacioni të posaçëm për sanksionet, për të frenuar aktivitetet destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.

Siç raporton Zëri i Amerikës, projektligji, i njohur ndryshe si Akti mbi Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor është paraqitur nga senatorja demokrate, Jeanne Shaheen, kryetare e Nënkomisionit për Evropën dhe Bashkëpunimin mbi Sigurinë Rajonale dhe senatori republikan, Roger Wicker.

Iniciativa vjen mes shqetësimesh të rritura në rajon për shkak të luftës në Ukrainë. Senatorja Shaheen thotë se marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Ballkanin Perëndimor janë thelbësore në këto momente, ku duken qartë synimet e Presidentit Putin për të përhapur ndikimin keqdashës në të gjithë Evropën Lindore.

“Projektligji i ri dypartiak forcon tregtinë dhe investimet mes SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke luftuar në të njëjtën kohë korrupsionin, nëpërmjet miratimit të një legjislacioni të posaçëm për sanksione kundër aktorëve destabilizues. Të gjitha këto hapin rrugën për një integrim më të gjerë euro-atlantik”, deklaroi Shaheen.

Projektligji udhëzon Sekretarin e Shtetit të ofrojë ndihmë teknike për çdo vend të Ballkanit Perëndimor për të zhvilluar një strategji kombëtare kundër korrupsionit. Ai parashikon gjithashtu kthimin në ligj të dy urdhra ekzekutivë, që do të garantonin kompetenca për sanksione kundër atyre që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe që janë të përfshirë në akte korruptive.

Senatori Wicker tha se projektligji “do të dërgonte një sinjal të fortë dypartiak, se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur diplomacinë në rajon”.