Tragjedia e Potamit, arrest me burg ish-komisarit për vrasje me dashje

Publikuar më: 5/8/2022, ora 13:25

Tragjedia e Potamit, arrest me burg ish-komisarit për vrasje me dashje

Publikuar më: 5/8/2022, ora 13:25

Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë arrest me burg për ish-shefin e komisariatit të Policisë së Himarës, Arjan Tase, personi përgjegjës për vdekjen e 7-vjecares në datën 2 gusht, në plazhin e Potamit në Himarë, kur u godit nga gomonia me dy motorë që drejtohej nga Tase.

Ndaj tij rëndon akuza e vrasjes së kryer në formën e dashjes indirekte, parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal, sipas të cilit, dënimi varion nga 10 deri në 20 vite burgim. Në këtë mënyrë, Prokuroria e Vlorës ka hedhur poshtë akuzën e ngritur nga Agjensia e Mbikqyrjes Policore, e cila menjëherë pas ngjarjes e akuzoi ish-drejtuesin e policisë për vrasje nga pakujdesia.

Sipas argumentit të organit të akuzës përpara gjykatës, dashja indirekte e vrasjes së 7-vjeçares konsiston në faktin që Arjan Tase ishte në dijeni të plotë që mjeti lundrues motorik nuk duhej të futej pranë bregut dhe megjithatë ai e bëri një gjë të tillë, duke shkaktuar aksidentalisht edhe tragjedinë që i mori jetën 7-vjeçares.

Ndërkohë, mësohet që gjatë seancës gjyqësore e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, vetë Tase nuk ka kundërshtuar as akuzën dhe as vendimin e dhënë, ndërsa bëhet e ditur që i ka kërkuar ndjesë familjarëve të 7-vjeçares.

Pas këtij vendimi, Arjan Tase do të qëndrojë në ambientet e paraburgimit deri në përfundimin e plotë të hetimeve dhe gjykimit ndaj tij.

Prokuroria vlerësoi se drejtuesi i gomones ka hyrë me vetëdije në një zonë ku ishte e ndaluar të lundrohej me mjete detare motorike.