Lufta ndaj fshehjes së pagave, Tatimet targetojnë universitetet, kompanitë e sigurimit dhe mediat

Publikuar më: 5/8/2022, ora 19:50

Lufta ndaj fshehjes së pagave, Tatimet targetojnë universitetet, kompanitë e sigurimit dhe mediat

Publikuar më: 5/8/2022, ora 19:50

Tatimet do të nisin fazën e radhës të planit kundër informalitetit në paga. Pas letrave të dërguara në fund të vitit të shkuar drejt bizneseve që dyshoheshin se nëndeklaronin pagat e punonjësve të tyre, tani administrata është gati të zbresë për kontrolle në terren.

Njësia e posaçme antiinformalitet dhe Drejtoria e Riskut e kanë përqëndruar punën këto muaj në analiza të thelluara për të nxjerrë sektorët më problematikë.

Ndërtimi, tregtia, kompanitë e sigurimeve, mediat, si dhe shkollat e universitetet private janë sektorët që vlerësohen me rrezikun më të lartë.Këtyre kategorive, do t’u shtohen edhe ato biznese që nuk reaguan duke rritur pagat e punonjësve në Janar.

Analiza e tatimeve mbështetet mbi krahasimin e pagave që bizneset raportojnë për punonjësit e tyre, në raport me pagat mesatare në treg për të njëjtin profesion apo aktivitet. Në mbështetje të kësaj lufte ndaj informalitetit, kërkohet edhe ndihma e vetë punonjësve.

“Administrata Tatimore fton qytetarët të denoncojnë rastet e mosdeklarimit të saktë të pagave, si një mekanizëm mbrojtës për të mos rrezikuar pensionin në të ardhmen”.

Thirrja drejt punonjësve për të denoncuar bizneset e parregullta u bë nga kryeministri edhe gjatë pandemisë, kur shumë personave të paregjistruar iu mohua e drejta për të marrë pagën e luftës.

Disa muaj më parë, qeveria deklaroi se do të propozojë disa ndryshime ligjore për të luftuar evazionin tatimor në tregun e punës, si rritja e gjobave dhe zgjerimi i numrit të individëve që bëjnë deklarimin e të ardhurave.

Ndërsa kryeministri është shprehur se do të propozojë në pyetësorin e radhës të Këshillimit Kombëtar, nëse pagat e shqiptarëve duhet të bëhen publike në mënyrë të rregullt.

Aksioni ndaj informalitetit në paga nisi pak kohë pas rrjedhjes së një databaze me të dhënat personale dhe pagat e të gjithë të punësuarve në vend.