Zelensky kundër Amnesty International: Anije të tjera me drithëra nisen nga portet e Ukrainës

Publikuar më: 5/8/2022, ora 13:58

Zelensky kundër Amnesty International: Anije të tjera me drithëra nisen nga portet e Ukrainës

Publikuar më: 5/8/2022, ora 13:58

Edhe tri anije të tjera me gjithsej 58 mije tonë misër, u nisën mëngjesin e së premtes nga portet ukrainas, në bazë të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia. Ministria e Mbrojtjes në Ankara konfirmoi se 2 anije, Navistar dhe Rojen, ishin nisur nga porti i Odesës ndërsa e treta, Polarnet nga Chornomorks.

Lajmi, që zbut disi shqetësimet për krizën ushqimore në botë, vjen ndërsa luftimet në terren vijojnë të ethshme. Beteja më e ashpër po zhvillohet në rajonin e Donjestkut në lindje të Ukrainës, ku 5 persona u vranë gjatë orëve të fundit, por nën sulm janë edhe zona të tjera rreth vendit.

Shpërthime të fuqishme u dëgjuan në qytetin jugor të Mikolaiv rreth orës 7 të mëngjesit. Po ashtu, ushtria ruse lëshoi raketa kundër objektivave në Zaporizhia, duke rrezikuar edhe centralin bërthamor që gjendet atje.

Shpërthime të dhunshme edhe në Nikolaev, siç bëri të ditur kreybashkiaku Alexander Senkevich. Sakaq, Amnisty Inernational akuzoi Kievin se kishte vënë në rrezik popullsinë, duke vendosur baza ushtarake në qendra të banuara. Për presidentin, Volodimir Zelensky një pohim i tillë është i patolerueshëm.

“Nuk ka dhe nuk mund të ketë, as në mënyrë hipotetike kushte, sipas të cilave, sulmi rus në Ukrainë të justifikohet. Agresioni kundër shtetit tonë është i paprovokuar dhe terrorist. Nëse dikush përgatit një raport ku viktima dhe agresori barazohen në një farë mënyrë, ku analizohen të dhënat për viktimën ndërsa ajo që bën agresori shpërfillet, kjo nuk mund të tolerohet”, u shpreh Zelensky.

Sakaq Moska është shprehur e gatshme për të diskutuar një këmbim të të burgosurve me Uashingtonin, ku do të përfshihej edhe basketbollistja Brittney Griner, e dënuar me 9 vite burg nga Moska, nën akuzën e kontrabandimit të drogës. Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, tha se ishin të gatshëm ta diskutonin çështjen, por vetëm përmes një kanali komunikimi të dakordësuar mes presidentëve Putin dhe Biden.