Aksident tragjik në Kroaci, autobusi del nga rruga, 12 viktima

Publikuar më: 6/8/2022, ora 12:06

Aksident tragjik në Kroaci, autobusi del nga rruga, 12 viktima

Publikuar më: 6/8/2022, ora 12:06

Dymbëdhjetë persona kanë humbur jetën dhe 31 janë plagosur, ndërsa 18 prej tyre janë në gjendje të rëndë, si pasojë e daljes nga rruga të një autobusi dhe përplasjes së tij në një kanal. Autobusi me targa polake, i cili ishte i mbushur me pelegrinë fetarë, rrëshqiti nga rruga dhe u rrëzua pranë Varazhdinit në Kroacinë veriperëndimore në orën 05:40 të mëngjesit të së shtunës.

Ministri kroat i Punëve të Brendshme, Davor Bozhinoviq, ka konfirmuar se edhe një person ka vdekur në spital dhe se numri i të vdekurve në aksident tani është dymbëdhjetë.

Fillimisht ishte raportuar për 11 persona të vdekur.

“Autobusi ishte nisur nga një vend afër Varshavës, dhe sipas disa informacioneve, ishte një grup që planifikonte të shkonte në pelegrinazh në Megjugorje”, ka thënë Bozhinoviq.

Sipas tij, besohet se në autobus kanë qenë 43 udhëtarë, por nuk ka pasur fëmijë.

Ende nuk dihet shkaku i aksidentit. Zyrtarët policorë, zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore kanë shkuar në vendin e ngjarjes.

Segmenti i rrugës që çon drejt kryeqytetit kroat Zagreb, është mbyllur për qarkullim.