Kopshti që rrit bimë vdekjeprurëse, i hapur për publikun

Publikuar më: 6/8/2022, ora 18:59

Kopshti që rrit bimë vdekjeprurëse, i hapur për publikun

Publikuar më: 6/8/2022, ora 18:59

“Kopshti helmues” në Northumberland, Angli, është shtëpia e më shumë se 100 bimëve toksike e narkotike, dhe është i hapur për publikun. Tabela në portën e zezë hyrëse të kopshtit lexon: “Këto bimë mund të vrasin!”. Paralajmërimi nuk është një shaka, pasi bimët që rriten në këtë kopsht janë disa nga llojet më vdekjeprurëse në botë. 

Që prej themelimit në vitin 2005, çuditërisht kopshti pret një numër të madh vizitorësh. “Përpara se ata të hyjnë, duhet të marrin udhëzimet përkatëse për të qenë të sigurt,” – shprehet Dean Smith, një udhërrëfyes i “Kopshtit helmues”. Vizitorët këshillohen të mos prekin, shijojnë apo nuhasin asgjë. Megjithatë, ka pasur raste që tursitëve herë pas here t’u ketë rënë të fikët nga thithja e tymrave toksikë, teksa kalojnë në plantacionet me bimë.

Një nga bimët e rrezikshme që kultivohet në këtë kopsht është “ricina”, e konsideruar nga Libri i Rekordeve Botërore Guinness si bima më helmuese në botë. Po ashtu, pjesë e varieteteve është edhe pema laburnum, pema e dytë më helmuese në Mbretërinë e Bashkuar. Shumë njerëz e kanë këtë pemë nëpër shtëpi për shkak të luleve të saj të bukura të verdha, por ajo përmban një helm të quajtur citisinë, që mund të rrezikojë shëndetin e njerëzve dhe kafshëve shtëpiake.

Nëse kjo bimë mund të të vrasë nëse ushqehesh me të, ka të tjera që të rrezikojnë jetën vetëm duke i prerë dhe prekur. Gjethet e Prunus laurocerasus (e njohur edhe si dafina angleze) përmbajnë dy përbërës (glikozide cianogjene dhe jone cianide), shumë helmuese dhe të rrezikshme. Hellebores, ose Trëndafili i Krishtlindjes, është një tjetër bimë vrasëse në rrënjën e së cilës gjendet kardiotoksinë, substancë që mund të ndalojë rrahjet e zemrës.

Megjithatë, sipas biologëve dhe ekspertëve të kopshtit, duhet të dimë përdorimin e saktë të këtyre bimëve, pasi jo të gjitha janë vetëm helmuese. Disa përveç substancave të rrezikshme, janë edhe burim kurash, që nëse përpunohen siç duhet, prodhojnë ilaçe të dobishme, për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme, si kanceri i gjirit.  

Kopshti është edhe kultivuesi i drogave si opiumi (një drogë e klasës A), kanabis (një drogë e klasës B) dhe catha edulis, e njohur zakonisht si ‘khat’ (një drogë e klasit C). Gjithsesi, stafi në “Kopshtin helmues” duhet të monitorojë me përpikëri, të numërojë dhe të paraqesë raporte mbi bimët e drogës dhe më pas të paraqesë prova që i ka shkatërruar ato në fund të çdo sezoni.