Mes Amazonës, Andeve dhe Paqësorit

Publikuar më: 8/8/2022, ora 11:05

Mes Amazonës, Andeve dhe Paqësorit

Publikuar më: 8/8/2022, ora 11:05

Për të gjithë turistët aventurierë që janë në kërkim të vendeve të paeksploruara apo destinacioneve të largëta, një udhëtim në Amerikën e Jugut do të ishte ideal. Mundësitë për të kaluar pushime të paharruara në këtë kontinent janë të shumta, por diçka unike dhe ekskluzive e këtyre vendeve, është qëndrimi në një “glamping”, një lloj kampi që ofron komoditet dhe kushte shumë të mira.

Turistët kanë mundësi, në këtë mënyrë, të jenë në kontakt me natyrën dhe mjedisin përreth, por në të njëjtën kohë të shijojnë rehatinë që mund të gjenin nëpër resortet luksoze. Ky aktivitet, i cili ka filluar të jetë gjithnjë e më i përhapur në Peru, është një alternativë e shkëlqyer për turizmin tradicional, veçanërisht sepse i mundëson vizitorëve të njohin anët sekrete të Perusë, nga Andet në bregdetin e Paqësorit e deri në Amazonë.

Glamping në Peru

Në qytetin perandorak Cusco, i ashtuquajtur “Kërthiza e botës”, vizitorët mund të zgjedhin midis alternativave të ndryshme. Në shumicën e glamping që gjenden 3500 metra mbi nivelin e detit, turistët kalojnë kohë së bashku me komunitetet lokale, duke u njohur me traditat e tyre autentike. Ata kanë mundësi të shijojnë ushqimin tipik në shoqërinë e popullatës vendase, të ulen rreth zjarrit në mbrëmje për të dëgjuar historitë e tyre, të shohin mënyrën se si krijohen prodhimet artizanale ose të marrin pjesë në një ritual tradicional.

Luks me një çmim lirë

“Peru EcoCamp” u ofron turistëve një përvojë luksoze glamping, që njëkohësisht ka një ndikim shumë të ulët në mjedis, falë përdorimit të energjisë diellore, produkteve të kultivuara në vend dhe burimeve të ujit. Ndërsa, “Forest Glamping” është një tjetër alternativë dhe gjendet në zemrën e Luginës së Shenjtë të Inkave, zhytur në një natyrë të harlisur, mes maleve dhe pyjeve. Opsionet ndryshojnë në çmim, por të gjitha ofrojnë një qëndrim larg zhurmës dhe vendeve të mbushura me njerëz.

Rrethuar nga natyra

Për ata që nuk duan të largohen shumë nga kryeqyteti, është e mundur të qëndrojnë në një mjedis magjik, në shkretëtirën bregdetare Ica. Pranë ndodhet oaza e Huacachina, rrethuar nga duna ranore, ku është e mundur që turistët të flenë në tenda të stilit nomad dhe të shijojnë darkat nën qiellin me yje, pranë Oqeanit Paqësor.

Emocione amazoniane

Së fundmi, një nga përvojat më emocionuese të glamping është sigurisht aventura në pyllin tropikal të Amazonës. “Treehouse Lodge” u mundëson turistëve qëndrimin në një nga 12 shtëpitë e saj në pemë në xhunglën e Amazonës, rrethuar nga kafshët e egra dhe mrekullitë që ofron natyra.