Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Begaj në Prishtinë, Osmani: Nuk po vizitoni një shtet tjetër, mirëserdhët në shtëpinë tuaj

Nga A2 CNN
15 Gusht 2022, 12:41 | Politikë
Begaj në Prishtinë, Osmani: Nuk po vizitoni një shtet

Pas takimit mes tyre, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe homologu shqiptar Bajram Begaj, në vizitën e tij të parë zyrtare, mbajtën një konferencë për shtyp ku evidentuan mundësitë e një bashkëpunimi edhe më të ngushtë midis dy vendeve simotra.

 “Nuk po bëni një vizitë zyrtare në një shtet, por po vizitoni vëllezërit e motrat tuaj, mirëserdhët në shtëpi”, ishin fjalët e para të Osmanit.   

Presidentja e Kosovës nënvizoi se “të gjithë ne në Kosovë i gëzohemi arritjeve të Shqipërisë, dhe llogarisim në mbështetjen tuaj për sa kohë Kosova të ecë në të njëjtat hapa integruese. Shqipëria i ka dhënë mbështetje pa rezervë Kosovës edhe aty ku nuk jemi të përfaqësuar”.

Sipas saj, “agjenda është e fokusuar në konsolidimin e pozicionit tonë ndërkombëtar si vend i pavarur, objektivi strategjik është anëtarësimi në BE dhe në NATO, prandaj deri në fund të këtij viti do të aplikojmë për statusin e vendit kandidat në BE, dhe llogarisim në përvojën e Shqipërisë si vend që tashmë i ka kaluar këto procese.

Osmani evidentoi nevojën që sipas saj dy vendet kanë për një marrëveshje dypalëshe për mbrojtje të ndërsjellët, “për të reaguar në rast të cenimit të shteteve tona. Është një nisëm në harmoni me praktikat ndërkombëtare, është ora që të bëjmë hapat e duhura në kë të drejtim” .

Nga ana e tij, presidenti shqiptar e cilësoi marrëdhënien mes vendeve si të pandashme dhe të pandryshueshme.  “Jam i nderuar të jem në Prishtinë, në vizitën time të parë si President dhe kjo jo thjesht në respekt të traditës, por si një simbolikë e natyrshme, që mishëron lidhjen tonë të pandashme dhe të pandryshueshme  e vulosur nga historia, gjuha jonë e përbashkët dhe heronjtë tanë ndër shekuj.

Dy dialekte dhe një gjuhë, dy republika dhe një komb, kjo është harta jonë e përbashkët patriotike me destinacion Brukselin dhe bashkimin tonë në aleancën euroatlantike”, ishin fjalët e tij.

Duke siguruar mbështetjen e Tiranës zyrtare për çdo proces ndërkombëtar të Kosovës, Begaj u ndal te  “kërcënimet e reja si siguria kombëtare, pavarësia energjetike, siguria ushqimore, pandemitë, siguria kibernetike, rezervat ujore etj, fusha me rëndësi prioritare dhe që më shumë se kurrë kërkojnë bashkëpunim të shtuar”.

Për presidentin shqiptar, “projektet për ndërtimin e portit në Porto-Romano, Portit të Thatë në Prishtinë dhe lidhja e tyre me hekurudhën Durrës-Tiranë janë hapat e duhur, në drejtimin e duhur si investime prioritare, që jo vetëm do të forcojnë pozitat strategjike të dy vendeve tona në rajon, por edhe do t’i japin një impuls të ri e të nevojshëm bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve”.

A2 CNN Livestream

Dita jonë