Berisha: Rama fali 1,5 milionë metra katrorë tokë në Durrës, hiqni dorë se nuk do t’i gëzoni

Publikuar më: 15/8/2022, ora 12:35

Berisha: Rama fali 1,5 milionë metra katrorë tokë në Durrës, hiqni dorë se nuk do t’i gëzoni

Publikuar më: 15/8/2022, ora 12:35

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi Kryeministrin Rama se me projektin e Portit të Durrësit i ka dhënë një kompanie private 1,5 milionë metra katrorë truall për të ndërtuar aty një pronë personale.

“Ligji i parë i çdo hajduti është se ai kërkon të vjedhë sa më shumë. Rasti më tipik është Edi Rama, i cili pasi është kapur në flagrancë me vjedhjen e 420 milionë euro për djegësat, gjithçka me firmën e tij, vrapon të vendosë harresë këtë vjedhje, me dy megaafera të mëdha, që janë 10fishi i kësaj shume; ajo e Butrinti dhe Portit të Durrësit. Jam këtu për të denoncuar për të shumtën herë, aferën mafioze, korruptive të Ramës me portin më kryesor, shekullor e mijëvjeçar, portin e Durrësit. Kjo aferë vjen në dhunim me të gjitha ligjet e vendit. Rama deklaron se i ka dhënë një kompanie territorin prej 1.5 milionë metra katrorë të ndërtimit aty të Dubai-city, të Dubait-Emar-Rama, ose Rama-Emar”, tha Berisha në një konferencë për mediat.

Berisha akuzoi gjithashtu Raman se po përvetëson përfitime marramendëse nga kjo sipërmarrje. “Ky megaskandal është e tillë, që askush nuk njeh kompaninë, pasi kompania është offshore dhe kjo është e ndaluar me ligjet e vendit, që kompani të tilla të marrin prona të tilla të shqiptarëve. Kjo bëhet që Rama dhe bashkëvjedhësit e tij, duan të fshehin fitimet e tyre përrallore nga kjo aferë, në parajsat fiskale të mafias botërore. Në këtë aferë Edi Rama u thotë shqiptarëve se Shqipëria fiton 300 milionë, ndërkohë që vetëm trualli kushton jo më pak se 3 miliardë euro, me çmimin aktual. Pra nëse pronarët e trojeve në Shqipëri e japin truallin për zhvillim ndërtuesve, sipas zonave me një % nga 20 deri ne 50%, Edi Rama u lë shqiptarëve vetëm 10% të fitimit. Kurse merr vetë me kompaninë e Emarit-Rama, 90% të vlerës. Ky është një superskandal. Tejkalon çdo lloj imagjinate”, shtoi Berisha.

Kreu i PD i bëri thirrje Ramës që të heqë dorë nga ky projekt. “A është vetëm kjo gjoba që shqiptarëve u bën Edi Rama me këtë aferë. Kaq e tmerrshme dhe e rëndë është gjoba që Rama u bën, duke i privuar ata nga porti shekullor. Për fitimet e tij marramendëse, ai ka shpallur se do të ndërtojë një port të ri, i cili shkon afërsisht 2 miliardë euro. Pra shqiptarët duhet të paguajnë me taksat e tyre ndërtimin e një porti të ri në Porto Romano, në mënyrë që Rama me kompanitë offshore të përvetësojë 1.5 mln metër katror porti. Vetëkuptohet 90% të sipërfaqes së ndërtimit, në mos e më shumë, i merr për vete. Më këtë rast dua ti them Ramës, aksionerëve të fshehtë të kësaj kompanie, përfituesve fundorë, se ju që veproni kështu me një mafioz, jeni kryemafiozë dhe se kurrë nuk do të gëzoni pasurin publike të shqiptarëve në Portin e Durrësit. Hiqni dorë nga kjo aferë superskandal”.