Pushime në Pogradec, qyteti liqenor mjaft i frekuentuar, mungojnë kapacitetet pritëse 

Publikuar më: 15/8/2022, ora 14:29

Pushime në Pogradec, qyteti liqenor mjaft i frekuentuar, mungojnë kapacitetet pritëse 

Publikuar më: 15/8/2022, ora 14:29

Qyteti liqenor i Pogradecit këtë vit ka pritur një numër të madh pushuesish vendas dhe të huaj. Pika më e fortë e ofertës turistike të këtij qyteti kanë qenë çmimet e pandryshuara.

Nëse në breg pushuesit u përballën me rritje drastike këtu nuk ka ndodhur diçka e tillë, menaxherët e hotele nuk flasin për rënie të prenotimeve.

Përveç vendasve që pushojnë në bregliqen, të huajt me guida kanë qenë të shumtë. Benjaminin nga Holanda e gjejmë shumë të surprizuar me qytetin.“Vij nga Holanda. Është një natyrë e bukur. Ne në Holandë nuk kemi një natyre të tillë dhe moti është i mirë. Kemi gjetur njerëz të mirë dhe miqësor. Kemi vizituar edhe fshatin Lin, ishte shumë i bukur”, ishin fjalët e tij.  

Pogradeci ndër vite është cilësuar si qytet që frekuentohet nga pensionistët dhe nënat me fëmijë, por Dritan Hoxha drejtues i një Irish Pubi thotë se kjo gjë ka ndryshuar tërësisht vitet e fundit.

 “Vera është e ngarkuar me jetën e natës, qyteti është plot me rini, boll të hedhësh sytë në bulevard. Kemi mbingarkesë, unë e kam plot lokalin tim”, thotë ai.  

Pogradeci ka vetëm një problematikë kryesore numrin e pakët të shtretërve i cili shkon në rreth 3 mijë çka sjell nevojën për investime të tjera fushën e hotelerisë në një kohë kur kërkesat vijnë çdo vit në rritje.