Sondazh: Si ka ndryshuar figura e babait në familje ndër vite?
  • Më i pranishëm me fëmijët 31%
  • Më i zënë në punë 38%
  • Ndihmon në shtëpi 31%

Salman Rushdie, njeriu që “tërhoqi” vdekjen

Nga A2 CNN
16 Gusht 2022, 11:48 | Aktualitet
Salman Rushdie, njeriu që “tërhoqi” vdekjen

“Ne ishim në rreshtin e pestë, shfaqja sapo po fillonte. Salman Rushdie mbërriti, u ul dhe njerëzit duartrokitën. Një person nisi të prezantojë eventin duke thënë se me ne atë ditë do ishte Salman Rushdie dhe papritur një njeri, një burrë, hyri dhe ne menduam se do të dorëzonte një mikrofon, dhe gjithçka ndodhi shumë shpejt. Ai hyri nga ana e majtë dhe nisi ta godasë atë me thikë disa herë, herën e parë në qafë dhe vendi u mbush me gjak. Rushdie u ngrit dhe kërkonte ndihmë për jetën e tij”. Ky ishte rrëfimi i një dëshmitari të sulmit ndaj shkrimtarit Salman Rushdie.

Salman Rushdie, novelisti i lindur në Indi, që kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij, duke u fshehur pasi myslimanët iranianë e kërcënuan me vdekje pas shkrimeve të tij, u qëllua me thikë në qafë dhe kraharor, para se të ngjitej në skenë për të mbajtur një leksion të hapur në Nju Jork më 12 gusht. Fill pas ngjarjes, autori 75-vjeçar u dërgua menjëherë në spital por tashmë, siç familjarët njoftuan, ai është jashtë rrezikut për jetën.

Rushdie ishte njoftuar javë më parë, se do të mbante një audiencë të hapur, përpara qindra artistëve të lirë nga perëndimi në Nju Jork, kur një djalë i ri, 24 vjeç, ungjit papritur në skenë, para novelistit dhe nisi ta godasë atë menjëherë me thikë. Ngjarje kjo të cilës 75-vjeçari i trembej që prej viteve ’80, kur nisi të marrë kërcënimet e para për jetën.

Dëshmitarët në vendin e ngjarjes, rrëfejnë momentin që tronditi jo vetëm të pranishmit në sallë por edhe opinionin publik ndërkombëtar. “Z.Rushdie po ecte ngadalë dhe u ul afër skenës. Ne po prisnim që ai të mbante leksionin e mëngjesit. Dhe një njeri u hodh para tij në skenë. Nuk e di si ndodhi por në fillim u duk sikur po e godiste në kraharor, e përsëriti goditjen fort në kraharor dhe në qafë. Pashë që kishte një thikë në dorë dhe gjithçka u bë shumë kaotike”.

Policia e identifikoi autorin. Bëhet fjalë për 24-vjeçarin Hadi Matar, nga Nju Xhersi, i cili kishte siguruar një biletë për të marrë pjesë në event. Rushdie, i cili ka lindur në një familje myslimane në Bombei, sot Mumbai të Indisë, përpara se të transferohej për të punuar dhe jetuar në Mbretërinë e Bashkuar.

Prej thuajse 50 vitesh, Rushdie është përballur me kërcënime për jetën dhe kjo për shkak të novelës së tij “Vargjet Satanike”.

Disa myslimanë thonë se librat e tij janë të mbushur me pasazhe blasfemie, të cilat ata nuk mund dhe nuk duhet t’i tolerojnë.  Librat e tij u ndaluan të shiten e të lexohen në disa vende me shumicë muslimale, që prej vitit 1988, kur u publikua novela e parë.

Në kohën kur libri u publikua, Rushdie jetonte në Britaninë e Madhe, atje ku vetë myslimanët britanikë dogjën qindra kopje të librit. Pak muaj më vonë, lideri supreme i Iranit, Ayatollah Ruhollah Khomeini njoftoi një fatva apo një ndëshkim fetar, ku i bëri thirrje publike myslimanëve në mbarë botën, që ta vrasin novelistin dhe këdo që ish përfshirë në publikimin e librit të mbushur me blasfemi e të pavërteta për fenë islame.

Salman Rushdie, i cili novelën e tij e quajti “goxha të butë” u fsheh për thuajse një dekadë. Hitoshi Igarashi, përkthyesi japonez i novelës, u vra në vitin 1991. Qeveria e Iranit tha në vitin 1998 se do ta tërhiqte dënimin për të dhe Rushdie jetoi thuajse i lirë në vitet e fundit.

Por aktualisht, fatvaja (ose dënimi) kundër Rushdie është ende në fuqi, duke arritur në 2.8 milionë dollarë. Ndërsa organizatat iraniane, disa prej tyre të lidhura apo krejt në varësi të qeverisë iraniane, e kanë rritur shpërblimin për këdo që vret Rushdie në miliona dollarë.

https://a2news.com/2022/08/15/sulmi-ndaj-salman-rushdie-irani-mohon-perfshirjen-dhe-fajeson-shkrimtarin/

Dhe Ayatollah Ali Khamenei, sot lideri suprem i Iranit, është shprehur publikisht që në 2019, se dënimi apo fetvaja për Salman Rushdie, nuk do të hiqet kurrë, deri sa ai të vdesë. Rushdie publikoi në vitin 2012 një libër me kujtime, përjetimet dhe jetën e tij i fshehur, nën thirrjen ndër dekada të Fatvasë, apo “Joseph Anton” siç ai e quhej me pseudonim teksa ishte nën mbrojtjen e policisë britanike.

Novela e tij e dytë, “Fëmijët e mesnatës” I siguroi atij çmimin e librit më të mirë. Ndërsa novela e tij e fundit, “Qyteti i Fitorës” pritet të publikohet në shkurt të vitit të ardhshëm.

Salman Rushdie është bërë qytetar amerikan që prej vitit 2016 dhe jeton në Nju Jork. Librat e novelistit 75-vjeçar ende sot janë të ndaluar përveç Iranit edhe në dhjetëra shtete të tjera si Pakistani, Bangladeshi, Sudani e Afrika e Jugut, Sri Lanka, Kenia, Tajlanda, Tanzania, Indonezia, SIngapori e Venezuela. 

A2 CNN Livestream

Dita jonë