Erzeni, projekti serioz dhe ambicioz

Publikuar më: 17/8/2022, ora 19:09

Erzeni, projekti serioz dhe ambicioz

Publikuar më: 17/8/2022, ora 19:09

Pas afro  dy dekadash , Erzeni është rikthyer në Kategorinë Superiore . Ekipi shijakas do të garojë mes më të mirëve në futbollin shqiptar si nënkampione e Kategorisë së Parë sezonin e kaluar . Një projekt serioz dhe me ambicie për të ardhmen.

Në këtë formë kanë menduar të surprizojnë drejtuesit e Erzenit këtë edicion në Superligë. Pavarësisht ndryshimeve të shumta nga viti I kaluar , Erzeni pritet të jetë konkurrues përballë 9 klubeve të tjera në Superligën Shqiptare.

Ndryshimet filluan që nga timonieri i ri i skuadrës kur në krye u vendos legjenda e portës durrsake Xhevahir Kapllani. Një emër i njohur dhe për futbollin shqiptar, pasi ka mbajtur veshur fanella të ndryshme të klubeve më në zë në histori ndërsa me Erzenin ka luajtur në 50 ndeshje në vitet 2001-2002.

Fjalëpak i përkushtuar në punën  e tij, trajneri Xhevahir Kapllani e ka të qartë detyrën e tij. Ai nuk jep premtime por siguron vetëm diçka, se djemtë do të luajnë me zemër për të qenë surpriza e këtij edicioni. Këtë e konfirmon dhe drejtori teknik i klubit Ervis Xhafa, i cili tregon se paraqitja sa më dinjitoze në fushën e blertë, mbetet objektivi primar i klubit.

Krahas djemve të rinj dhe premtues për të ardhmen ka dhe futbollistë me përvojë dhe që e njohin mirë futbollin shqiptar . Kjo është filozofia e re e Erzenit.

16 futbollistë janë afruar vetëm në këtë merkato vere me emra të rinj në Superiore, por që premtojnë shumë në të ardhmen. Kjo jo vetëm nga mosha e re por edhe me sukseset që kanë regjistruar në karrierën e tyre.

Ardit Iljazi është një nga përforcimet e ekipit. Qendërmbrojtësi ishte pjesë e Shkupit që nga viti 2019  ndërsa dha kontributin e tij dhe në fitimin e titullit kampion sezonin e kaluar. Ai konsiderohet si një nga shtyllat më të rëndësishme të skuadrës .

I saktë me ndërhyrjet e tij dhe i fortë në luftën në ajër Iljazi është i motivuar në maksimum për eksperiencën e tij të parë në Superligën shqiptare.

Erzeni nuk do të jetë një skuadër kalimtare në këtë edicion. Përkushtimi dhe dëshira që kanë këtë djem për të bërë mirë është prezent në çdo moment. Edhe pse një ekip i ndërtuar nga fillimi, projekti i Erzenit premton shumë. Të japin maksimumin çdo ndeshje dhe në fund të përfaqësohen denjësisht është ky objektivi i klubit, i cili me shumë gjasa do të kthehet në një surprizë të bukur në edicionin e ri.