Takimi me arsimtarët, Berisha: Arsimi në krizë, po mbyllen shkollat për të hapur burgjet

Publikuar më: 17/8/2022, ora 10:54

Takimi me arsimtarët, Berisha: Arsimi në krizë, po mbyllen shkollat për të hapur burgjet

Publikuar më: 17/8/2022, ora 10:54

Gjatë një takimi me mësues dhe ekspertë të arsimit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ngriti shqetësimin e krizës në arsim, që sipas tij po reflektohet në uljen e numri të nxënësve në shkolla në vitet e fundit.

“Shkollat në Shqipëri mbyllen njëra pas tjetrës. Janë mbyllur 620 shkolla. Ndërkohë është dyfishuar numri i policëve. Është 2-3-fishuar kriminaliteti. Janë 2-3-fishuar burgjet. Aksioma e njohur, hap një shkollë të mbyllësh një burg, këtu është shndërruar mbyll një shkollë, të hapësh një burg”, tha Berisha.

Berisha foli edhe për denigrimin e figurës së mësuesit që, sipas tij, po bëhet nëpërmjet zëvendësimit të tyre me militantë.

“Zëvendësimi i mësuesve të vërtetë me militantë partiakë që nuk përcjellin me asgjë edukim, por përcjellin militantizëm, militantizëm të një partie që siç e shihni publikisht dhe haptazi është larguar nga rregullat e lirisë. Është rikthyer tek rregullat e origjinës dhe kjo është e vërtet”, shtoi Berisha.

Për të gjitha këto, kryetari I PD bëri përgjegjës Kryeministrin Edi Rama, të cilin u zotua se do ta rrezojë nga pushteti.