Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Lustracioni sipas socialistëve, heqje mandati për bashkëpunëtorët dhe të favorizuarit e ish-sigurimit

Nga A2 CNN
18 Gusht 2022, 19:50 | Politikë
Lustracioni sipas socialistëve, heqje mandati për

Socialistët kanë gati një draft paraprak me ndryshimet ligjore që synojnë përjashtimin nga politika dhe funksionet publike të personave që kanë qenë në të shkuarën bashkëpunëtorë të ish-sigurimit të Shtetit apo të favorizuar prej tij.

A2 CNN ka mundur të sigurojë amendamentet që ende presin firmën e deputetëve për t’u konkretizuar si nismë ligjore, e cila mund të konsiderohet një lustracion i plotë i të gjithë funksioneve publike, që nga maja e piramidës, Presidenti i Republikës e deri tek zyrtarët më të thjeshtë të administratës.  

“Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët provohen nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit”.

Drafti ka lënë disa shtigje për verifikimin e zyrtarëve aktualisht në detyrë. E para është e drejta për të kërkuar verifikimin nga deputetë, kryeministri apo prokuroria. Nga ana tjetër, hiqet klauzola ligjore që pengon Autoritetin e Dosjeve të riverifikojë ata zyrtarë të lartë që në të shkuarën kishin kaluar filtrat e komisioneve Mezini e Bezhani. 

“Personat, për të cilët Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit provon se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit nuk mund të emërohen apo zgjidhen në funksionet publike si më poshtë: në organe kushtetuese apo të krijuara me ligj; gjyqtarë ose prokurorë; në postin e zëvendësministrita po të njëvlershëm me të; në postin e prefektit; funksionarë politikë në kabinetet e drejtuesve të çdo institucioni kushtetues apo të krijuar me ligj: Në Shërbimin Informativ Shtetëror dhe shërbime të tjera informative; në shërbimin civil dhe shërbimin diplomatik si dhe drejtues të çdo niveli në administratën publike të nivelit qendror dhe vendor që nuk përfshihet në shërbimin civil; ë) në Policinë e Shtetit; ushtarakë të forcave të armatosura, si dhe në çdo post drejtues të kompanive që zotërohen plotësisht apo në maxhorancë ose administrohen nga shteti”.

Amendamentet ligjore pritet të paraqiten si shtojcë e ligjit të dekriminalizimit dhe parashikohet që edhe funksionarët në detyrë do të duhet të plotësojnë një formular të dytë për të treguar pastërtinë e tyre të figurës. Në rast se deklarimi është i rremë, atëherë zyrtari shkon për ndjekje penale dhe në rast refuzimi të plotësimit humbet mandatin.

“Në rast refuzimi për të përmbushur detyrime te parashikuara nga ky ligj lidhur me integritetin, personi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht për ndalim e zgjedhjes apo emërimit të tij në funksionin publik”.

Në rastet kur institucionet nuk ndërpresin mandatin, drafti i socialistëve fut në lojë Gjykatën Kushtetuese, e cila duhet të shprehet me vendim. Partia Socialiste paralajmëroi këtë nismë ligjore pas shkresës së Autoritetit të Dosjeve që nxori Ilir Metën si pjesë të arkivës së ish-Sigurimit të Shtetit. Kësisoj, maxhoranca duket se iu përgjigj dhëmbë më dhëmbë aksionit opozitar i cili ka paralajmëruar një vjeshtë të nxehtë protestash.

A2 CNN Livestream

Dita jonë