Më të paguarit e vitit 2022, LeBron udhëheq, Messi e Cristiano Ronaldo në podium

Publikuar më: 18/8/2022, ora 15:58

Më të paguarit e vitit 2022, LeBron udhëheq, Messi e Cristiano Ronaldo në podium

Publikuar më: 18/8/2022, ora 15:58

Kur flitet për sport elitar, vëmendjen e tërheqin pagat faraonike të yjeve botërorë. Sipas faqes së specializuar Sportico, për 2022-shin,sportisti më i paguar është LeBron James. Në 12 muajt e fundit, ai ka përfituar mbi 127 milionë dollarë. Nga këto të ardhura, 70 për qind, ose e përkthyer në 90 milionë dollarë burojnë nga investimet dhe sponsorizimet.

Basketbollisti, i cili është përzgjedhur 18 herë në skuadrën e yjeve të NBA dhe lideri i Los Angeles Lakers fitoi katër vende krahasuar me një vit më parë, duke parakaluar tre yjet e futbollit: Lionel Messi, Cristiano Ronaldo e Neymar. Kjo katërshe ishte e vetmja që gjatë2021-shit arriti të fitonte mbi 100 milionë dollarë të ardhura.

Në sezonin e parë larg Barcelonës, Messi arriti të fitonte 122 milionë dollarë, nga të cilat 50 milionë jashtë fushe. Në shkallën më të ulët të podiumit ndodhet Cristiano Ronaldo, i cili ka përfituar diçka më pak se 115 milionë dollarë. Neymar, shok ekipi i Messit te Paris Saint Germain fitoi 103 milionë.

Në klasifikimin special të sportistëve që kanë përfituar më tepër, përveç tre futbollistëve janë edhe 4 basketbollistë të NBA amerikan. Përkrah LeBron, të ardhura milionere kanë edhe Stephen Curry, Kevin Durant dhe James Harden. Top 10 plotësohet nga boksieri meksikan Canelo Álvarez, i pesti me 89 milionë dollarë, legjenda e tenisit Roger Federer dhe ylli i golfit Tiger Woods që mbyll renditjen me 73,5 milionë dollari. Mes 100 sportistëve të parë më të paguar, dominojnë basketbollistët e NBA me 36 emra, të ndjekur nga 25 lojtarë të futbollit amerikan, 13 futbollistë dhe 12 yje të bejsbollit. Të dhënat tregojnë se 100 sportistët më të paguar kanë përfituar së bashku rreth 4,5 miliardë dollarë, mes pagave, bonuseve dhe sponsorëve.