Vrasje e dyfishtë në aksin Vlorë-Fier

Publikuar më: 18/8/2022, ora 10:23

Vrasje e dyfishtë në aksin Vlorë-Fier

Publikuar më: 18/8/2022, ora 10:23

Dy persona u ekzekutuan me armë zjarri në autostradën Levan-Vlorë pranë fshatit Panaja. Mjeti ku udhëtonin viktimat është qëlluar në lëvizje.

Viktimat janë Shpati Lena rreth 37 vjeç, dhe Hakim Xhezo 34 vjeç. Ky i fundit është vëllai i Eduart Xhezos, i cili është në burg pasi akuzohet për vrasjen e Arben Beqirajt, ngjarje e ndodhur në Plazhin e Vjetër në Vlorë në gusht të vitit 2019, ku mbetën të plagosur edhe djali dhe një i afërm i viktimës.

Ndërkohë, në fshatin Çerven, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, nga shërbimet e Policisë u gjet duke u djegur një automjet i braktisur, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorëve. Nga kontrollet paraprake të automjetit, Policia në brendësi të tij gjeti 3 armë zjarri automatike.

“Sot, rreth orës 09:50, në dalje të fshatit Panaja, në aksin rrugor Fier-Vlorë, në rrethana ende të pa qarta, dyshohet se janë vrarë me armë zjarri, dy shtetas ende të paidentifikuar, të cilët ndodhen brenda një automjeti tip “Benz”.

Gjatë krehjes së zonës, në fshatin Çerven, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur tip “BMË”, pa targa, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes. Nga këqyrja paraprake e automjetit dallohen në brendësi të tij, 3 armë zjarri automatike”, tha Policia.

Vëllai i viktimës, Eduar Xhezo, u arrestua në Durrës disa muaj pas ngjarjes, pasi pikas nga Policia teksa qarkullonte me shpejtësi tej normave të lejuara, nën efektin e lëndëve narkotike, me kartë identiteti të falsifikuar dhe nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar në dy pika kontrolli. I ndjekur nga Forcat Shqiponja dhe ato të Qarkullimit Rrugor, Xhezo u bllokua në vendin e quajtur “Mbikalimi i këmbësorëve” te unaza e Shkozetit.

Për ngjarjen e vitit 2019 ishte arrestuar edhe viktima tjetër Lena, por në mars të këtij viti, Gjykata e kishte lënë me masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.

Viktimat e atentatit në Vlorë, të përfshirë në një vrasje të ndodhur për një kalë në vitin 2019

Dy viktimat e atentatit të kësaj të enjteje në Vlorë, të identifikuar si Shpati Lena rreth 37 vjeç, dhe Hakim Xhezo 34 vjeç, kanë qenë të përfshirë në një vrasje të ndodhur në gusht të vitit 2019 në Plazhin e Vjetër Vlorë.

Vëllai i Hakim Xhezos, Eduart Xhezo, është aktualisht në burg pasi akuzohet si autor i vrasjes së Arben Beqirajt. Në të njëjtën ngjarje kanë mbetur të plagosur djali i viktimës dhe një i afërm i tij.

Konflikti i atëhershëm ka nisur pasi një kalë ka kaluar gjatë ditës mes plazhistëve në zonën që administrohej nga Arben dhe Ergest Beqiraj. Babë e birë kanë dhunuar personin që ishte mbi kalë dhe ai më pas është larguar.

Një orë me vonë ka mbërritur në zonë një makinë me katër persona. Dy prej të cilëve janë afruar për të diskutuar dhe dy të tjerë në distancë pasi ka nisur konflikti verbal kanë shtënë në drejtim të Arben Beqirajt, të birit Ergest Beqiraj dhe kushëririt të tyre Nesim Hodaj.

Pas disa orësh Arben Beqiraj ndërroi jetë në spital. Viktima nuk rezulton me precedentë të mëhershëm penal ndërsa i biri, Ergest Beqiraj, ka qenë i përfshirë në plagosje me armë të ftohta në 2018-ën dhe ka qenë i dyshuar si autor i vendosjes së eksplozivit në lokalin e Brikelo Brahimaj.