Berisha paralajmëron koalicion opozitar për zgjedhjet vendore

Publikuar më: 19/8/2022, ora 12:51
4 GUSHT PLANE PROTESTA NR 2 frame 117613 1280x720

Berisha paralajmëron koalicion opozitar për zgjedhjet vendore

Publikuar më: 19/8/2022, ora 12:51

Sali Berisha tha se opozita duhet të marrë pjesë me koalicion në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, duke paralajmëruar një bashkëpunim me Partinë e Lirisë, të drejtuar nga Ilir Meta.

“Koalicion unë vlerësoj se do të ketë. Koalicioni do përcaktojë rregullat e tij, por çfarë do jetë në këtë koalicion për Partinë Demokratike, aksionet e PD, ato të gjitha do të zgjidhen me primare. Ne nuk heqim dorë kurrsesi. Ne konsiderojmë primaret si risinë e dytë më të madhe pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri. Vendosja e pluralitetit brenda partive është fundi i kryetarokracisë, forma më e vërtetë e demokracisë brenda një partie. Për ato që jemi zotuar, ne qëndrojmë plotësisht”, tha kreu i PD në një konferencë për mediat.

Berisha sqaroi edhe idenë e tij për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve. “Cilido që është deputet i PD dhe dëshiron të kandidojë është i mirëpritur t’i nënshtrohet primareve. Kryetari i PD dhe Kryesia de facto nuk kanë më asnjë pushtet mbi kandidaturat që plotësojnë kriteret nga dekriminalizimi. Ata që plotësojnë kriteret do të jenë të mirëpritur në këtë garë”.