Berisha: Pasaporta e artë, kanal i zi për të larë narko-eurot e trafikantëve. Rama synon të bllokojë negociatat

Publikuar më: 19/8/2022, ora 12:28
WhatsApp Image 2022 08 19 at 12.04.25 PM 1080x720

Berisha: Pasaporta e artë, kanal i zi për të larë narko-eurot e trafikantëve. Rama synon të bllokojë negociatat

Publikuar më: 19/8/2022, ora 12:28

Sali Berisha sulmoi nismën e re të qeverisë për të dhënë pasaporta shqiptare për investitorët e huaj, duke e quajtur një mënyrë për pastrimin e parave të krimit.

“Pasaporta e artë e Edi Ramës është thjesht një thirrje: “narko-trafikantë dhe kriminelë të të gjithë rajonit, Evropës dhe botës bashkohuni në Shqipëri”. PD deklaron se pas nisjes për legalizimin e kanabisit, ligjin për amnistinë fiskale, legalizimin e parave të krimit që hyjnë nga jashtë, pasaporta e artë është mekanizmi i tretë e i fundit i trinomit të shndërrimit të Shqipërisë në parajsën tokësore të drogës trafiqeve dhe krimit rajonal evropian dhe botëror. Pasaporta e artë, në vendet ku shteti ligjor funksionon është një mundësi e përdorur nga ato qeveri dhe vende për të thithur investime të huaja. Kurse pasaporta e artë në narko-shtetin e parë dhe të vetëm në Evropë, Shqipëri, është kanal i zi për të larë narko-eurot e trafikantëve të pashpirtë të rajonit, Evropës e botës në Shqipëri, një kanal i zi për paranë toksike të bosëve të drogës dhe krimit, para e cila me kullat monumente nacionaliste korruptive si i ka quajtur shtypi ndërkombëtar në Tiranë po shkatërron pamjen, urbanistikën trafikun e mjedisin e saj”, tha Berisha në një konferencë për mediat.

Berisha tha se përmes këtij ligji, Rama synon të pengojë ecurinë e negociatave me Bashkimin Europian. “Përshëndes qëndrimin e Komisionit Europian i cili është shprehur në mënyrë kategorike kundër këtyre praktikave. Dënoj me ashpërsinë më të madhe pasaportën e artë të Edi Ramës, si një thirrje për trafikantët, kriminelët, por edhe terroristët nga mbarë bota, paguani që të mblidheni në Shqipëri. Paralajmëroj Edi Ramën se këto praktika me sa duket kanë edhe një qëllim të dytë politik, bllokimin e procesit të negociatave me BE. Është e vërtetë që konferenca e parë është mbajtur, sikundër që negociatat nuk janë hapur në kuptimin që procesi do rifillojë pas disa shqyrtimeve që do të bëhen gjatë këtyre muajve në një konferencë të dytë. Ka një mënyrë për ta shtyrë në kalendar konferencën e dytë, është kjo që bën Edi Rama me pasaportën e artë dhe dhënien me koncesion të shtetësisë. E paralajmëroj në mënyrë serioze se këto praktika do të kundërshtohen me të gjithë potencialin që ka opozita. Sikundër, paralajmëroj çdo person, aplikimi mbi bazën e kësaj praktike nuk do të njihet nga opozita shqiptare. Ndaj të mos bien pre e një skeme të madhe mashtrimi. Ky është qëndrimi i PD ndaj këtij procesi në të cilën Edi Rama kërkon të forcojë pushtetin e tij nëpërmjet krimit, drogës dhe mafies”, tha Berisha.