Dronët kamikazë godasin selinë qendrore të flotës ruse në Detin e Zi

Publikuar më: 20/8/2022, ora 12:46

Dronët kamikazë godasin selinë qendrore të flotës ruse në Detin e Zi

Publikuar më: 20/8/2022, ora 12:46

Ukraina ka sulmuar Krimenë me anë të disa dronëve. Këtë e njofton Rusia duke raportuar shpërthime të forta në një bazë ushtarake në territorin e aneksuar në vitin 2014.

Një prej bombardimeve ka shënjestruar selinë qendrore të flotës ruse në Detin e Zi në Melitopol, pa provokuar të lënduar apo viktima. Autoritetet pro ruse të Krimesë theksuan se dronët e Kievit janë rrëzuar.

Në orët e fundit, aviacioni ukrainas kreu 11 sulme ajrore në jug të territorit duke shënjestruar pozicionet ruse dhe vrarë 17 ushtarë të tyre.

Forca e Moskës është kundërpërgjigjur duke bombarduar qytetin Mikolaiv, pranë Odesës. Sakaq, shqetësuese mbetet situata në impiantin bërthamor të Zaporizhzhias. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se siguria mund të rikthehet aty nga një vizitë e inspektorëve ndërkombëtarë.

“Nëse rusët do të vijojnë të shantazhojnë me rrezatimin bërthamor, kjo verë mund të hyjë në historinë e Europës si një nga më tragjiket e të gjitha kohërave”, tha Zelensky.

Reagimi i tij erdhi pasi presidenti rus, Vladimir Putin, pohoi se do të lejojë zyrtarët e Kombeve të Bashkuara që të vizitojnë impiantin e Zaporizhzhias. Moska dhe Kievi fajësojnë njëri-tjetrin për bombardimin e kompleksit, që aktualisht kontrollohet nga ushtria ruse, duke rritur frikën për një katastrofë të mundshme.

Lidhur me këtë çështje është zhvilluar dhe një bisedë telefonike mes Putin dhe presidentit francez, Emmanuel Macron. E gjithë kjo vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës prezantuan paketën e radhës në ndihmë të Ukrainës. Ajo kap vlerën e 775 milionë dollarëve, duke përfshirë dronët e vëzhgimit dhe për herë të parë automjete rezistente ndaj minave. Zelensky falenderoi presidentin amerikan, Joe Biden, për paketën e ndihmës ushtarake duke nënvizuar se është një hap tjetër i rëndësishëm për të mposhtur agresorin. “Ukraina do të jetë e lirë”, përfundoi presidenti.