Rusët tentojnë të futen në uzinën ushtarake në Gramsh, plagosen dy efektivë shqiptarë

Publikuar më: 20/8/2022, ora 22:24

Rusët tentojnë të futen në uzinën ushtarake në Gramsh, plagosen dy efektivë shqiptarë

Publikuar më: 20/8/2022, ora 22:24

Ministria e Mbrotjes njoftoi për një incident të rëndë, të ndodhur mbrëmjen e sotme në Uzinën ushtarake në Gramsh.

“Tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë. Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj janë lënduar dy ushtarakët tanë, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë”, tha Ministria.

Shtetasit e huaj janë ndaluar nga autoritetet, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Policia e Gramshit dha detaje lidhur me sulmin e ndodhur në uzinën ushtarake këtë të shtunë. “Nga shërbimet e Uzinës Ushtarake Çekin në Gramsh, është njoftuar se ne afërsi të rrethimit të uzinës është konstatuar një shtetas i paidentifikuar me aparat fotografik në dorë, i cili ka tentuar të fotografojë ambientet e zonës ushtarake”.

“Në momentin që 2 ushtarakët që ruanin objektin, e kanë pikasur dhe i janë afruar ta ndalojnë dhe ta kapin, shtetasi i huaj iu është kundërpërgjigjur me spray neuroparalizues, por 2 ushtarakët që ruanin uzinën kanë bërë të mundur neutralizimin e tij.

Shërbimet e Policisë me të marrë njoftim kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë shoqërimin e shtetasit rus, Mikhail Zorin, 24 vjeç, në ambientet e Komisiaratit të Policisë Gramsh, për veprime të mëtejshme.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë nga veprimet paraprake hetimore kanë marrë informacion se ky shtetas ishte shoqëruar edhe nga dy shtetas të tjerë dhe menjëherë kanë ngritur pika kontrolli dhe kanë kontrolluar zonën.

Shërbimet e Policisë bënë të mundur që në afërsi të kësaj zone të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse Svetlana Timofoeva, 33 vjeçe, dhe shtetasi ukrainas F. A., 25 vjeç, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.