Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Dokufest, një histori arti

Nga A2 CNN
21 Gusht 2022, 23:45 | Aktualitet
Dokufest, një histori arti

Kosova vërtet nuk ka detin, por çdo stinë të verës ka artistë plot që bëhen bashkë në emër të artit. Më të njohurat janë Dokufest, e Sunny Hill Festival. Por këtë vit Kosova ka edhe Manifestën. Kështu që vërtet detin e gjeni në jugun e Shqipërisë, por artin vizual, kinemanë, muzikën dhe artistët ndërkombëtarë i mbledhin shqiptarët e Kosovës.

A2 CNN ka rrugëtuar drejt Prizrenit këtë vit, për t’ju treguar jo thjesht një edicion të festivalit të filmit dokumentar, por një histori që ka shpëtuar gjithë qytetin, kinemanë, fëmijët dhe të rinjtë. Sepse Dokufest nuk sjell vetëm filma. Aty ne gjetëm edhe të ardhmen.

E gjetëm fillimisht përmes fëmijëve. Sepse ata në punëtoritë artistike mësojnë ta duan artin e shtatë, magjinë e kinemasë që pushton qytetin dhe pa diskutim joshjen për të krijuar filmat e tyre. Kështu bashkë me filmat që kishin në qendër Covid 19 krijuar nga fëmijët, mbërritën edhe duartrokitjet e para për të ardhmen. Sepse nga ky ekran kinemaje kupton se DokuFest është një shkollë për ata që do ta trashëgojnë këtë festival filmi nga më të njohurit.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, të mbajtur në kinemanë e hapur Lumbardhi në Prizren të shtunën e fundit të këtij edicioni, në mbrëmje u shpallën edhe fituesit e edicionit të 21-të të DokuFest. 109 filma ishin në garë për çmime në 8 programe konkurruese të festivalit dhe u vlerësuan nga një grup jurish të përbërë nga profesionistë të filmit dhe aktivistë të të drejtave të njeriut nga e gjithë bota.

Çmimi fitues i garës të dokumentarëve të Ballkanit iu dha kineastit Srdjan Kovačević për filmin e tij Factory to the Workers.

“Filmi im ka të bëjë me një fabrikë në Kroaci, një fabrikë që merret si të thuash peng nga punëtorët e vet. Është një lloj revolte për t’i bërë gjërat më mirë”, thotë autori.

 Në garën e dokumentarëve ndërkombëtarë të gjatë juria përzgjodhi filmin “Dry ground burning” nga Adirley Queirós & Joana Pimenta, si një ndër filmat që tregojnë trazirat e Brazilias së sotme.

Një nga filmat më mbresëlënës në Kosovë ishte ajo që fliste edhe për Serbinë. Dhe këtë kishte ditur ta përcillte Natasha Urban. Filmi "The Eclipse" lundron në një histori të gjerë, kronologjike të Serbisë, vendit që ajo ka lënë pas dhe një hetim të anëtarëve të familjes së saj që zënë pozicione që variojnë nga mohimi te zemërimi ekstrem ndaj veprimeve të kombit të tyre. Pikërisht filmi “Ekslips” nga Natasha Urban fitoi çmimin special të jurisë. Filmi tregon per vitet 90 ne Serbi dhe për atë mundësi që serbët të marrin vetë përgjegjësi për atë që ka ndodhur këtu. Është një film që ka të bëjë me memorien, por është njëkohësisht edhe si një portret familjar.

Për dokumentarin e shkurtër u vlerësuan kineastët Evgenia Arbugaeva dhe Maxim Arbugaev. Pegah Ahangarani me titullin “I’m trying to remeber” ishte një tjetër fitues. Në filmin e shkurtër u duartrokitën produksionet “Will my parents come to see me” nga Mo Harawe  dhe “Love and Revenge” nga Anhar Salem. 

Produksioni më i mirë që fliste për të drejtat e njeriut kishte të bënte me Myanmar, një film kolazh i guximshëm dhe zemërthyes i bërë nga disa zëra anonimë që ndajnë pasiguritë në një përpjekje këmbëngulëse për të kapërcyer këtë moment dhe me shpresë se historitë në Mianmar do të ndryshojnë.

Një tjetër shqetësim kinematografik në lidhje me të drejtat e njeriut u veçua në filmin “Children of the Mist” nga Anna Shishova, një kineaste që solli në vëmendje martesat e detyruara të fëmijëve.

Në nga kategoritë e dokumentarëve ishte edhe ajo Green, që kishte të bënte me çështjet e mjedisit. “Foragers” nga Jumana Mana u vlerësua si më e mira.

Çmimi për filmin më të mirë të garës së Filmave për të Vërtetën shkon për një punë të palodhur, një përvojë shkurajuese dhe për vendosmërinë frymëzuese të atyre që në mënyre të papërkulshme e thonë të vërtetën ndaj pushtetit; "The Killing of a Journalist" nga Matt Sarnecki.

Ndërsa në garën Nacionale produksioni më i mirë ishte ai i Flonja Kodhelit, një film i Belgjikës por I përcjellë nga një regjisore e Shqipërisë.

Çmimi “Distributor” , i dhënë nga Radiator IP FilmSales nga Belgjika, u fitua nga filmi i Konkursit Kombëtar, "Shpija" i Flaka Kokollit.

Pas numërimit të votave, Love, Deutschmarks & Death nga Cem Kaya është shpallur fitues i çmimit të publikut të festivalit.  

Granti i Valës së re, në vlerë prej 10.000 eurosh për realizimin e një filmi të shkurtër, i dhënë nga DokuFest dhe i mbështetur nga SIDA dhe Ambasada Suedeze në Kosovë, iu nda projektit të titulluar “Transmission” nga Flutura Balaj.

Festivali 9-ditor solli rikthimin në formatin e plotë fizik, me shfaqjet e 270 filmave në 12 kinema në të gjithë qytetin, me seminare, panele, debate, ligjërata, ekspozita dhe një seri aktesh live që panë rikthimin e programit të muzikës, DokuNights, duke sjellë në Prizren koncerte nga artistë sikur Hercules and Love Affair dhe Edona Vatoci, si dhe performanca të DJ të ndryshëm.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani