Usyk thyen Joshuan, ukrainasi ruan titujt botërorë me rekord: Ia kushtoj fitoren ushtrisë që po mbron vendin tim

Publikuar më: 21/8/2022, ora 11:42

Usyk thyen Joshuan, ukrainasi ruan titujt botërorë me rekord: Ia kushtoj fitoren ushtrisë që po mbron vendin tim

Publikuar më: 21/8/2022, ora 11:42

Ukrainasi Oleksandr Usyk mbrojti me vështirësi titujt e unifikuar në tre versione (WBA, WBO dhe IBF) pasi mundi me pikë britanikun Anthony Joshua në një ndeshje spektakolare të zhvilluar në Arabinë Saudite.

Përballja, e luajtur në orën 1:00 të natës me orën lokale – ku gjithsesi nuk u shmangën temperaturat deri në 30 gradë celsius – u mbyll me fitoren e ukrainasit me pikë. Dy gjyqtarë i dhanë fitoren 115-113 dhe 116-112 Usyk-ut, ndërsa i treti ia dha Joshua-s, 115-113.

Joshua, i cili kishte humbur duelin e parë më Usyk shtatorin e kaluar, tregoi përmirësime në paraqitjen e tij, por sërish nuk mundi të rimerrte titujt, pasi ukrainasi shkëlqeu, duke ruajtur rekordin e tij me 20 fitore nga 20 ndeshje. Edhe pse pati disa raunde të ekuilibruar, Usyk dominoi takimin dhe ishte fitues me meritë.

Në fund të përballjes, Joshua dhuroi edhe një spektakël të shëmtuar, pasi mori dy prej titujve të Usyk dhe i hodhi jashtë ringut, për t’u rikthyer mbi ring për të dhënë një fjalim të çuditshëm, të komentuar gjerësisht në rrjetet sociale.

Nga ana tjetër, ukrainasi Usyk sfidoi hapur britanikun tjetër, Tyson Fury, i cili mban titullin kampion në versionin WBC. “Fitoren ia kushtoj familjes time, vendit tim dhe të gjithë ushtrisë që po mbron vendin tim”, tha ai pas takimit. “Jam i sigurt që Fury nuk është tërhequr. Jam i bindur se dëshiron të ndeshet me mua. Edhe unë dua të ndeshem me të. Nëse nuk ndeshem me Fury-n, nuk ndeshem më fare”.