Rusët në uzinën e Gramshit, detaje të reja nga hetimet

Publikuar më: 22/8/2022, ora 13:24

Rusët në uzinën e Gramshit, detaje të reja nga hetimet

Publikuar më: 22/8/2022, ora 13:24

Dy shtetasit rusë dhe një ukrainas, të kapur në uzinën ushtarake të Çekinit në Gramsh, do të hetohen për spiunazh nga prokuroria e Elbasanit.

Kjo e fundit, në bazë të materialeve të referuara nga policia, ka nisur procedimin penal ndaj tyre për akuzat e goditjes për shkak të detyrës, dhënia e informatave sekrete dhe sigurimi i informatave, vepra penale këto të kryera në bashkëpunim.

Përveç dinamikës së ngjarjes, brenda ambienteve të uzinës, ku një prej rusëve të arrestuar i hodhi spraj neuroparalizues dy efektivëve të forcave të armatosura që ruanin objektin ushtarak, policia ka gjetur në mjetin që lëviznin tre të dyshuarit edhe pajisje kompjuterike, dronë dhe aparate celulare, të cilët i janë nënshtruar ekzaminimeve.

Shtetasit rusë janë pajisur me avokatë kryesisht. Në deklarimet e para, ata janë shprehur se nuk kanë lidhje me spiunazhin, por se ishin blogerë në rrjetet sociale. Por reagimi i ashpër ndaj efektivëve të forcave të armatosura dhe pajisjet e gjetura në automjetin me të cilin udhëtonin, ka ngjallur dyshime se aktiviteti i blogerit mund të jetë mbulim për qëllime të tjera.

Ndërkohë, pritet që gjatë ditës së martë dy rusët dhe shtetasi ukrainas të dalin para gjykatës së Elbasanit për caktimin e masës së sigurisë.