Sulmet në centralin e Zaporizhias, udhëheqësit perëndimorë bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje

Publikuar më: 22/8/2022, ora 10:19

Sulmet në centralin e Zaporizhias, udhëheqësit perëndimorë bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje

Publikuar më: 22/8/2022, ora 10:19

Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca bënë thirrje për vetëpërmbajtje rreth centralit bërthamor të Zaporizhias dhe theksuan nevojën për rikthimin e sigurisë në strukturën e kërcënuar nga konflikti.

Në një telefonatë të zhvilluar të dielën udhëheqësit e 4 vendeve, Joe biden, Boris Johnson, Olaf Sholc dhe Emanuel Macron ripërsëriten mbështetjen për Ukrainën kundër pushtimit rus.

Ata mirëpritën një marrëveshje, të aprovuar nga presidenti rus Vladimir Putin, për të lejuar inspektorët e OKB-së në centralin bërthamor, dhe kërkuan që inspektimi të zhvillohet sa më parë. Ukraina raportoi sulme të tjera raketore ditën e diel, kryesisht në qytezën e Nikopol, pranë centralit të Zaporizhias.

Moska dhe Kievi akuzojnë njëri-tjetrin për bombardimet, që kanë nxitur shqetësimet për një katastrofë, si ajo e Çernobilit. Sakaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i bëri thirrje ukrainasve të tregohen vigjilente në prag të festimeve për pavarësinë, ditën e mërkurë.

“Rusia mund të përpiqet të bëjë diçka veçanërisht të neveritshme. Veçanërisht mizore. Një prej objektivëve kyç të armikut është të na turpërojë, por ne duhet të tregohemi të fortë mjaftueshëm për t’i rezistuar të gjitha provokimeve”, tha Zelensky.

Ukraina feston ditën e pavarësisë më 24 gusht, kur shënohen gjithashtu 6 muaj që prej nisjes së luftës ruse. Forcat e armatosura të Kievit bënë më dije se kishin shkatërruar bastionin rus në territorin e Kherson. 20 ushtarë rusë ishin vrarë dhe ishin nxjerrë jashtë funksionit një sërë armatimesh. Edhe në Krimenë e aneksuar nga Moska u raportuan sulme të reja gjatë fundjavës, me Rusinë që pretendoi se kishte rrëzuar një dron ukrainas. Kievi nuk e ka pranuar përgjegjësinë e sulme në Krime, por presidenti Zelensky tha në mesazhin e fundit se po ndihej që pushtimi i gadishullit ishte i përkohshëm.