Frikë për ditën e pavarësisë, Zelensky premton reagim të fuqishëm nëse Rusia sulmon  

Publikuar më: 23/8/2022, ora 19:27

Frikë për ditën e pavarësisë, Zelensky premton reagim të fuqishëm nëse Rusia sulmon  

Publikuar më: 23/8/2022, ora 19:27

Rusia do të përjetojë një reagim shumë të fuqishëm nëse kryen sulme gjatë festimeve për ditën e pavarësisë së Ukrainës. Paralajmërimi serioz është lëshuar nga presidenti, Volodymyr Zelensky, pas raportimeve se ushtria e Moskës mund të bëjë diçka shumë të tmerrshme këtë javë.

 “Nëse ata na sulmojnë ne, do të marrin një kundërpërgjigje shumë të fuqishme. Çdo ditë ai reagim do të rritet dhe do të bëhet gjithnjë e më i fuqishëm”, deklaroi Zelensky.

Departamenti amerikan I shtetit ka paralajmëruar se Rusia po planifikon të lëshojë sulme të reja kundër infrastrukturës civile dhe godinave qeveritare të Ukrainës. Kievi ka ndaluar eventet publike në përkujtim të pavarësisë së vendit nga Bashkimi Sovjetik, ndërsa tensionet janë rritur ndjeshëm me Moskën pas një sërë shpërthimesh dhe sulmesh në Krimenë e aneksuar. Lidhur me këtë gadishull është mbajtur edhe forumi i përvitshëm ku perëndimi tregoi edhe njëherë mbështetjen për Ukrainën.

 “Ne nuk do ta njohim kurrë aneksimin e Krimesë apo të ndonjë territori tjetër ukrainas. Përballë sulmit të Putinit, ne duhet të vazhdojmë t’i japim miqve tanë ukrainas të gjithë mbështetjen ushtarake, humanitare, ekonomike dhe diplomatike që u nevojitet, derisa Rusia t’i japë fund kësaj lufte të tmerrshme dhe të tërheqë trupat e saj nga e gjithë Ukraina”, deklaroi Boris Johnson, kryeministri në ikje të Britanisë së Madhe.

 “Franca ka mbështetur gjithmonë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. pushtimi i Krimesë nga Rusia ka pasoja të drejtpërdrejta të një degradimi të qartë të situatës humanitare dhe respektimit të të drejtave të njeriut”, shtoi presidenti francez Macron.

Presidenti Zelensky tha se Ukraina do ta kthejë Krimenë e pushtuar nga Rusia me çfarëdo mjeti që e konsideron të nevojshme. Presidenti I Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kërkoi nga Moska që t’ja kthejë këtë territor Ukrainës, ndërsa presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pohoi se BE nuk do ta njohë kurrë aneksimin e paligjshëm të Krimesë.