Gega kampione e Europës, Patozi: Për ta ka dy Shqipëri diametralisht të ndryshme

Publikuar më: 23/8/2022, ora 19:46
WhatsApp Image 2022 08 23 at 5.31.59 PM 996x720

Gega kampione e Europës, Patozi: Për ta ka dy Shqipëri diametralisht të ndryshme

Publikuar më: 23/8/2022, ora 19:46

Astrit Patozi ka komentuar ceremoninë e organizuar këtë të martë për Luiza Gegën, atleten shqiptare që u shpall kampione e Europës pasi fitoi medaljen e artë në garën e 3000 metrave me pengesa në Europianin e Mynihut.

“Si nuk harruan një herë dhe nuk e humbën kurrë një rast për të na treguar se për ta nuk ka një, por dy Shqipëri diametralisht të ndryshme. Njëra, që lulëzon e zhvillohet e lumtur nën qeverisjen e tyre, të cilën, as shohim, as e prekim, as e ndjejmë edhe në ëndrrat tona më të bukura. Dhe jo se nuk duam, por thjesht sepse ajo nuk ekziston. Kurse tjetra, që nxin e sterron njësoj edhe në kohërat më të bekuara, kur Zoti dhe natyra e teprojnë me bujarinë e vet, vetëm për shkak se nuk drejtohet prej tyre”, shkroi Patozi nw Facebook.

“Mos u lodhni kot të kërkoni një datë, një vend, një fenomen, e aq më pak një personazh, që t’i bëjë bashkë këto dy botë të ndara si për vdekje. Ndaj edhe mos u çudisni që ta shpifin njësoj, si ata që e teprojnë me festat e shpëlara vetëlavdëruese, ashtu edhe ata të tjerët me mallkimet histerike për çdo ngjarje dhe histori, jo domosdoshmërish politike. Duke përfshirë këtu edhe medaljen e artë të Luiza Gegës, të cilën nuk ia lanë as të zonjës së punës ta gëzonte një ditë, sepse u përlanë prapë midis tyre, sikur të mos ishte ditë suksesi, por ditë dështimi kombëtar. Në fakt Shqipëria reale është në mes, një dhe e vetme. Ajo e jeton të sotmen e saj me ngjyrat e halleve të mëdha dhe gëzimeve të pakta, duke u përpjekur pa shumë sukses, por me shpresë që një ditë do t’i shpëtojë darës së bardhezisë së këtyre udhëheqësve legjendarë, të cilët e duan atë vetëm si plaçkë që dergjet dhe pastaj ndahet nën këmbët e tyre”.