Berisha mbron Metën: SHISH, Autoriteti i Dosjeve dhe SPAK janë shndërruar në aneks të zyrës së Ramës

Publikuar më: 24/8/2022, ora 22:18
ilir meta sali berisha 856x579

Berisha mbron Metën: SHISH, Autoriteti i Dosjeve dhe SPAK janë shndërruar në aneks të zyrës së Ramës

Publikuar më: 24/8/2022, ora 22:18

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama se ka shndërruar në aneks të zyrës së tij disa institucione të drejtësisë dhe sigurimit në vend.

“Këto javët e fundit, i tmerruar nga fati i afërt që e pret për vjedhjet e mëdha që u ka bërë shqiptarëve, gjykimi dhe ndëshkimi popullor për vjedhjet e mëdha me aferat e djegësve, portit të Durrësit, Butrinit me prokurimet sekrete, PPP, bordet e çmimeve stratosferike dhe aferat e tjera që mbajnë firmën e tij, Edi Rama ka shkrirë në një të vetëm Shërbimin Informativ, Komisionin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit, SPAK-un e partisë dhe i ka shndërruar në aneks të zyrës së tij”, tha Berisha në një postim në Facebook.

“Me qëllimin e vetëm fabrikimin, falsifikimin, manipulimin e paskrupullt të pseudo-fakteve, pseudo-dokumenteve për kundërshtarët politikë, në rastin konkret kundër kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Duke dënuar me forcën më të madhe këto akte të shëmtuara të regjimit mafioz të Edi Ramës, të bazuar në dhunimin e votës së qytetarëve, vjedhjen e papërmbajtur të pasurive dhe fondeve publike, drogën  dhe krimin, i them vasalit të Aleksander Vuçiç-it se je i pashpresë dhe se, nuk ka manipulim, shpifje apo falsifikim as dhe ligj i votuar nga mazhoranca kallpe që do të shpëtojë ty nga ndëshkimi i rëndë popullor. Ti dhe shteti yt mafioz njëpartiak do të keni fundin e merituar!”.

Pas publikimit të një raporti nga Autoriteti i Dosjeve se Ilir Meta ishte i përfshirë në Sigurimin e Shtetit gjatë diktaturës, si dhe pas kallëzimit nga ish-deputeti Halit Valteri, i cili ka akuzuar Metën për lobim me të ardhura të paligjshme, SPAK ka kërkuar nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve një kopje të formularit të vetëdeklarimit të Metës, në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Shkresa që SPAK i ka drejtuar KQZ i referohet Metës si ish-deputet. Ajo thekson se informacioni kërkohet për llogari të hetimeve që kjo strukturë ka nisur në kuadër të ligjit te dekriminalizimit.

Ish-presidenti i ka mohuar këto akuza ndërsa kërkesës së prokurorisë, Meta iu përgjigj duke nxjerrë një tjetër shkresë që SPAK i ka drejtuar drejtorisë së gjendjes civile ku kërkon informacion mbi gjeneralitetet e tij. Në një postim në Facebook, Meta shkruan se SPAK ka vendosur t’i shërbejë hapur mafies së inceneratorëve në panik, duke e cilësuar edhe një herë reformën në drejtësi si Ramaforma.

Për akuzat e Metës reagoi menjëherë ambasadorja amerikane, Yuri Kim, e cila, nëpërmjet një postimi në Twitter shkruan se kërcënimet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve apo përpjekjet për të penguar reformën nuk mund të pranohen më si normale për një vend anëtar të NATO-s që Aspiron integrimin në BE. “Për shumë kohë, njerëzit e pasur dhe të fuqishëm kanë besuar se janë të paprekshëm. Tani ata janë të shqetësuar se pandëshkueshmëria po merr fund”, shkruan Kim.