Balluku: Bordi nuk ndikon në çmimin e karburanteve, por bën transparencë

Publikuar më: 25/8/2022, ora 13:22
Belinda Balluku 1280x720

Balluku: Bordi nuk ndikon në çmimin e karburanteve, por bën transparencë

Publikuar më: 25/8/2022, ora 13:22

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, i është përgjigjur akuzave ndaj Bordit të Transparencës për përcaktim abuziv të çmimeve të naftës.

Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, Balluku deklaroi se bordi i referohet çmimit të produktit dhe jo kostos së produktit bruto.

“Bordi i transparencës nuk ndikon në çmimin e naftës. Bordi është aty për të bërë transparencë publike. Ne si bord as nuk e rrisim dhe as nuk e ulim çmimin. Ka një abuzim në media nga politikanët. Flitet që çmimi i naftës ka rënë në bursa, ndërsa në Shqipëri ngrihet, fakt që është i rremë. Çmimi që i referohen zotërinjtë është çmimi i produktit bruto. Ndërkohë çmimi që ne i referohemi, ka të bëjë me çmimin e produktit. I referohemi bursës PLANT.

Është shumë e lehtë për të parë se si janë çmimet sot në bursë, a janë në ulje apo në ngritje. Për sa i përket pyetjes tuaj, dhe krahasimit me rajonin, e kemi thënë disa herë dhe kemi bërë një analizë se çfarë përmban çmimi në Shqipëri. Taksën e karbonit apo të qarkullimit, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut e paguajnë në mënyrë të veçantë, ndërkohë që në Shqipëri është e përfshirë në çmimin e karburanteve. Nëse do e shihni se sa i paguajnë taksat ata, do e shihni që çmimet shkojnë në të njëjtat nivele”, tha ministrja.