Lajçak dhe Escobar takohen me serbët e veriut: Nuk mund të ketë më barrikada

Publikuar më: 25/8/2022, ora 13:48
LAJCAK ESCOBAR VERI frame 309 1280x720

Lajçak dhe Escobar takohen me serbët e veriut: Nuk mund të ketë më barrikada

Publikuar më: 25/8/2022, ora 13:48

Në veri të Kosovës nuk mund të përsëriten tensionet e 31 korrikut, kur serbët lokalë ngritën barrikada për të penguar zbatimin e vendimeve të qeverisë Kurti për targat dhe dokumentet. Kështu u shpreh përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Europian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pas takimit që zhvilloi bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Esocobar, me serbët e Kosovës në Mitrovicën e Veriut.

“Kjo është arsyeja përse jemi sot këtu, që njerëzit të mos kenë frikë, të mos kenë frikë për jetën e tyre, për një jetë normale. Ne po bëjmë gjithçka për t’u siguruar që të mos ketë barrikada”.

Lajçak nuk pranoi të flasë për zgjidhje dhe propozime të mundshme, duke thënë se misioni po vazhdon dhe paqja duhet të ruhet. Zyrtari i lartë i BE-së nuk iu përgjigj as pyetjes së gazetarëve nëse bashkësia ndërkombëtare kërkon nga Kosova që të shtyjë edhe njëherë zbatimin e vendimit – për tre muaj të tjerë, siç u spekulua në disa media në Kosovë.

“Ka aq shumë spekulime rreth këtij procesi, nuk dua të futem në to”, ishte deklarata e Lajçak. Escobar tha shkurtimisht se “misioni vazhdon në Beograd” dhe se ai shpreson të bëjë një deklaratë në kryeqytetin serb, pas takimeve me presidentin Aleksandar Vuçiç. As Lista Serbe – subjekti më i madh politik serb në Kosovë, përfaqësues të cilit morën pjesë në takim – nuk u prononcua për media.

Pas takimit me krerët e institucioneve dhe përfaqësuesit e opozitës në Kosovë, më 23 dhe 24 gusht Escobar dhe Lajçak thanë se presin që Kosova dhe Serbia të kenë një propozim konkret për zgjidhjen e tensioneve për çështjen e targave dhe letërnjoftimeve. Ata theksuan se kishin marrë siguri se askush nuk dëshiron përshkallëzim të situatës, më 1 shtator, kur duhet të hyjnë në fuqi masat e reciprocitetit.