Nuk do të lejojmë ngritjen e barrikadave, Vuçiç i kundërvihet NATO: Po keqtrajtoni serbët

Publikuar më: 25/8/2022, ora 11:57

Nuk do të lejojmë ngritjen e barrikadave, Vuçiç i kundërvihet NATO: Po keqtrajtoni serbët

Publikuar më: 25/8/2022, ora 11:57

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, proteston kundër deklaratës së misionit të NATO-s në Kosovë, se nuk do të lejojë ngritjen e barrikadave në veri.

Numri një i Beogradit sugjeroi se misioni po tregohej i njëanshëm dhe tha se gjatë dy ditëve të ardhshme do t’i dërgonte një letër, për të kundërshtuar qëndrimin lidhur me tensionet për çështjen e targave dhe letërnjoftimeve.

“Qëllimi juaj duhet të jetë mbrojtja e popullatës serbe, ata janë minoritet. Pse po i ndihmoni shqiptarët që të shtypin këtë minoritet. Pse, së bashku me shqiptarët po keqtrajtoni serbët, a është detyra juaj apo jo që të ndihmoni serbët”, tha Vuçiç.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajári tha për televizionin publik të Kosovës më 23 gusht se situata në veri të Kosovës është e qetë dhe se forcat ndërkombëtare nuk do të lejojnë më vendosjen e barrikadave.

Më herët, misioni paqeruajtës paralajmëroi se është i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në vend.

Presidenti serb, Vuçiç shtoi se e interpreton ndryshe rolin e KFOR dhe të NATO, dhe sipas tij kriza nuk mund të zgjidhet në këtë mënyrë.

Në një reagim ndaj deklaratës së mëhershme të Vuçiç se Serbia mund të ndërhyjë për të mbrojtur serbët nëse NATO nuk bën punën e vet, ish-ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jamie Shea i kujton presidentit serb se misioni paqeruajtës është përgjegjës për sigurinë në Kosovë.

NATO, sipas tij, duhet t’i tregojë Serbisë së është në gjendje të vazhdojë mandatin e tij, dhe se Beogradi nuk ka asnjë rol në Kosovë në këtë drejtim.