Panik në Arenën Kombëtare, boksieri shqiptar përfundon pa ndjenja në ring
Momenti paniku në një prej ndeshjeve të boksit që i paraprinë sfidës për titullin WBC Silver mes Florian Markut dhe meksikanit Miguel Parra Ramirez.
Në ndeshjen e vlefshme për titullin WBC Youth, mes shqiptarit Amarildo Vranja dhe bullgarit Velev, boksieri shqiptar ka përfunduar pa ndjenja në ring, që në raundin e parë, pas një goditjeje të marrë.
Situata ka shkaktuar frikë dhe ankth te të pranishmit, pasi Vranja ka qëndruar i shtrirë pa asnjë shenjë, por u përmend fatmirësisht pas disa minutash, duke marrë edhe duartrokitjet e publikut.
Edhe boksieri bullgar, që fitoi trofeun, u ul disa herë në gjunjë duke u lutur që të mos ishte shkaktar i ndonjë tragjedie.
Me lot në sy, Vranja u largua me këmbët e tij nga ringu. Përveç tronditjes së fortë nga grushtet e kundërshtarit, boksieri shqiptar dukej në gjendje të mirë, por duhet të bëjë vizita të specializuara.