Zgjedhjet vendore, Berisha lë të hapur mundësinë e koalicionit me Metën

Publikuar më: 25/8/2022, ora 22:11

Zgjedhjet vendore, Berisha lë të hapur mundësinë e koalicionit me Metën

Publikuar më: 25/8/2022, ora 22:11

Një javë pasi paralajmëroi një bashkëpunim me Partinë e Lirisë në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, Sali Berisha foli për mundësinë e koalicioni me partinë e Ilir Metës. Pas mbledhjes së kryesisë së degës së PD-së në Pogradec, Berisha deklaroi se koalicion do të ketë, por do të studiohen format e tij. Në përgjigje të interesimit të gazetarëve në lidhje me zërat për kandidimin e Ilir Metës në krye të Bashkisë së Tiranës, Berisha tha se kryebashkiaku i kryeqytetit do të dalë nga primaret.

“Kryetari i Bashkisë në Tiranë do të dalë nga primaret. Ne nuk kemi asnjë lloj kufizimi në primare. Cilat do të jenë format e koalicionit janë për t’u studiuar, po koalicion do të ketë. Asgjë nuk pengon, nuk ka penguar dhe s’do të pengojë më këtë opozitë nga fitorja. Edi Rama do i ketë kohërat e numëruara dhe e shihni si përpëlitet”.

I pyetur në lidhje me nisjen e hetimeve nga SPAK ndaj Ilir Metës, Berisha u përgjigj: “Gjithçka është në kuadrin e shndërrimit të SPAK-ut, shërbimit informativ kombëtar, atij komisionit të dosjeve në anekse të zyrës së Edi Ramës. Kjo është gjithçka zhvillohet në kuadrin e shtetit monist”.

Berisha u shpreh besimplotë që edhe deputetë e tjerë të PD-së do të qëndrojnë krah tij, ndërsa pohoi se ka marrë një ftesë prej tyre.

“Kam një ftesë dhe ata janë deputetë të PD dhe vendi i tyre është në PD dhe kam besim që ata do të qëndrojnë në PD dhe frontin opozitar në përputhje me idealet dhe interesat e zgjedhësve që i kanë votuar”.

Për Berishën demokratët janë para një misioni historik për të shpëtuar Shqipërinë, ndërsa theksoi se aksioni opozitar do të vazhdojë në të gjitha format e protestave përfshirë edhe mosbindjen civile.

“Demokratët janë para një misioni historik edhe më të rëndësishëm se ai i 91-shit për të shpëtuar Shqipërinë nga ky regjim monist i një njeriu që e ka shpallur veten armik i egër i lirisë shqiptare, i votës së lirë. Aksioni opozitar do të vazhdojë në të gjitha format e protestave përfshi edhe mosbindjen civile. Mosbindja civile nuk është e dhunshme, por edhe gudulisëse nuk është”.