Anija fluturuese amerikane, e frymëzuar nga “përbindëshi” sovjetik

Publikuar më: 26/8/2022, ora 14:45

Anija fluturuese amerikane, e frymëzuar nga “përbindëshi” sovjetik

Publikuar më: 26/8/2022, ora 14:45

Duhet të ishte mjeti fluturues i së ardhmes, i cili do të mund të transportonte mbi 3000 persona nga njëri cep i Paqësorit te tjetri, me një shpejtësi prej 900 km/h. Aerocon Wingship ishte parashikuar të peshonte 400 tonë dhe të transportonte edhe 1500 tonë mallra. Projekti revolucionar ishte realizuar dhe financuar nga DARPA, Zyra e Projekteve të Avancuara të Departamentit të Mbrojtjes.

Por mjeti 172 metra i gjatë, që do të mund të udhëtonte për 19 mijë kilometra pa ndërprerje, falë 20 motorëve gjigantë, nuk u ndërtua kurrë. Në vitet 1990, Departamenti i Mbrojtjes e mbylli projektin për shkak të kostove shumë të larta, rreth 600 milionë dollarë për një avion të tillë, edhe pse fillimisht kishte parashikuar të përfshinte 13 copë në flotën e ushtrisë amerikane.

Gjatë viteve 1980, këto avionë-anije ishin menduar si një mjet transporti i shpejtë për mijëra ushtarë, në rast se do të duhej që ata të dislokoheshin me shpejtësi, për shembull nga Shtetet e Bashkuara në Japoni.

Projektuesi kryesor i Aerocon Wingship, Steven Hooker, u frymëzua për mjetin e tij te mjete të ngjashme lundruese të prodhuara në atë kohë në Bashkimin Sovjetik, si “Përbindëshi i Detit Kaspik”, i quajtur teknikisht ekranoplan. Ata janë mjete hibride, mes avionëve dhe anijeve, lëvizin mbi ujë, por faktikisht nuk e prekin kurrë atë. Organizata Detare Ndërkombëtare i klasifikon si anije, por në fakt, ata arrijnë të fluturojnë mbi ujë, në një lartësi deri në pesë metra, me një shpejtësi deri në 550 km/h. Por sikurse avioni amerikan, edhe ai sovjetik u la në harresë pas viteve 1990.

Por sot, ekranoplani gjigant mund të ringjallet, për t’u përdorur si mjet transporti ushtarak, por edhe civil, ose si një spital lëvizës që mund të dërgohet në zonat ku ka fatkeqësi natyrore të përmasave të mëdha.

Tim Samedov, një dizajner që ka prodhuar një model të ri në 3D të Aerocon, shpreson që mjeti i tij të arrijë të fluturojë mbi ujë më në fund. “Projekti duket fantastik. Do të doja shumë që të udhëtoja me një ekranoplan. Medoj se është një teknologji që premton”, tha ai për “The Sun”. “Me sa di, ka disa modele të vogla që po testohen momentalisht. Kështu që shpresoj që modelet më të mëdha të arrijnë të ndërtohen në të ardhmen”.